Nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku vizitoi qytetin e Salzburgut të Austrisë, takoi drejtoren e arsimit dhe vizitoi shkolla

- 16 Apr 2024


Nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku, ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Salzburgut, ku ka takuar Drejtoreshën e Arsimit të këtij qyteti, Dr. Brigit Heinrich. Gjatë këtij takimi, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Salzburgut në fushën e arsimit.

Të dyja palët shqyrtuan mundësitë e ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy qyteteve me qëllim të ndarjes së përvojës dhe njohurive në organizimin e sistemit arsimor.
Veçanërisht, u diskutua mundësia e një partneriteti në mes të shkollave dhe shkëmbimit të mësimdhënësve dhe nxënësve, duke sjellë një dimension të ri në mësimdhënien dhe përvojat e tyre edukative.

Nënkryetarja Lushaku vizitoi një shkollë në Salzburg, ku u njoh me organizimin e procesit mësimor. Ajo gjithashtu shkëmbyeu ide me mësimdhënësit e kësaj shkolle dhe mori njohuri që do të ndihmojnë në përmirësimin e sistemit arsimor në Kryeqytet.

Ky bashkëpunim pritet të çojë në implementimin e një modeli të suksesshëm të mësimit tërë-ditor, i cili tashmë një standard i lartë në Austri. Kjo iniciativë do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit në Kryeqytet, duke u ofruar nxënësve më shumë mundësi për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre në një mjedis ndërkombëtar dhe inkurajues.