Nënkryetarja Jehona Lushaku ligjëron kundër dhunës me bazë gjinore në Gjimnazin "Sami Frashëri"

- 19 Apr 2024

Në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dhunën me bazë gjinore, nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku, mbajti një ligjëratë për nxënësit e Gjimnazit "Sami Frasheri" sot në mëngjes. Ngjarja u zhvillua në orën e parë të mësimit, ku nënkryetarja foli rreth rëndësisë së respektit dhe barazisë gjinore.

Gjatë fjalimit të saj, zonja Lushaku theksoi domosdoshmërinë e ndërtimit të një shoqërie ku secili ndihet i sigurt dhe i respektuar, pa marrë parasysh gjininë. Ajo ndau me të rinjtë edhe disa nga iniciativat që Kryeqyteti ka ndërmarrë për të luftuar këtë fenomen shqetësues.

"Ligjëratat si këto janë jetike për të formuar liderë të ardhshëm që janë të ndërgjegjshëm socialisht dhe që mund të kontribuojnë në një ndryshim pozitiv në vend," tha nënkryetarja Lushaku.

Me vendim të nënëkryetares Lushaku Sadriu, të premten në të gjitha shkollat e Kryeqytetit, në orën e parë të mësimit u ligjërua kundër fenomenit të dhunës në baza gjinore, me qëllim të zgjerimit të ndërgjegjësimit dhe edukimit të të rinjve. 

Kryeqyteti vazhdon të punojë ngushtë me institucione arsimore dhe organizata të ndryshme për të siguruar një mjedis më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët e tij.