- 22 Apr 2024
Kryetari i Kryeqytetit ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Kjo marrëveshje mundëson intensifikimin e punimeve në disa projekte kryesore infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe transformimin urban të Kryeqytetit.
Projektet specifike që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje përfshijnë:
• Zgjerimi i rrugës “Bajram Bahtiri” në katër korsi: Ky projekt synon të përmirësojë qarkullimin dhe të ulë ngarkesën trafike.
• Kycja e rrethit të Lakrishtës: Ky ndërhyrje do të lidhë Unazën e qytetit me rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe rrethrrotullimin e Lakrishtës, duke lehtësuar aksesin dhe lëvizjen ndërmjet këtyre pikave kyçe.
• Ndërlidhja e rrugës Kolovicë – Sofali: Kjo ndërhyrje pritet të ofrojë një alternativë më efikase për lëvizjen brenda zonës urbane, duke kontribuar në zvogëlimin e trafikut dhe përmirësimin e lidhshmërisë lokale.
“Me punët që po i bëjmë më qytet po shkon drejtë çlirimit të transportit dhe trafikut. Projektet janë madhorë për kryeqytetin uroj që të vazhdojmë edhe, për shembull ‘Unaza e Kryeqytetit’. Siç e përmenda është jetike për kryeqytet, e kur është jetike për kryeqytet është jetikë për gjithë Kosovën. Jemi në bashkëpunim në këtë aspekt, me ministrin edhe kemi biseduar për zhvillimin e këtij projekti sa më shpjet. Krejt varet prej Ministrisë së Financave. Kemi edhe opsione të tjera me sektorin privat, ku mundemi nëpërmjet një partneriteti publiko-privat ta financojmë ‘Unazën e Kryeqytetit’, mirë është që ta kemi Ministrin e Financave që e nënshkruan edhe i vazhdojmë punët” – deklaroi Kryetari Rama.
Këto projekte janë pjesë e zotimeve të qeverisjes lokale për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të siguruar një mjedis më të organizuar dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët