- 22 Apr 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me nënkryetarin, Alban Zogaj dhe drejtoreshën e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, të hënën në kuadër të Ditës së Tokës bënë mbjelljen e pemëve dhe shkurreve shumëvjeçare në lagjet të ndryshme të kryeqytetit.
Rama bashkë me Çetën të hënën kanë mbjellë 40 pemë, në parkun e lagjes “Dardania”, ndërsa gjatë javës së tretë të Prillit të 2024-ës, do të mbillen edhe 300 të tjera.
“Urime Dita e Tokës të gjithëve gjendemi këtu në zonën e Dardanisë, faktikisht që është njëfarë mënyre shfrytëzohet edhe prej Ulpianës një park ku edhe bëmë mbjelljen e disa drunjve këtu sot. Gjithsej këtë javë do mbillen rreth 300 drunjë në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Ishim pak më parë në një zonë tjetër në Ulpianë, ku edhe përuruam fillimin e punës të një parku për fëmijë, po ashtu patëm disa diskutime me qytetarë edhe ide të ndryshme për pikat e ndryshme që i nevojiten kësaj zone, këtë proces do ta vazhdojmë edhe në pjesë të ndryshme të kryeqytetit” - tha Kryetari Rama.
Kryetari Rama vlerësoi lartë punën e Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve në krye me drejtoren, Donika Çetta si dhe Ndërmarrjen Publike të Kryeqytetit - “Gjelbër”, nën menaxhimin e Nora Cimili.
“Drejtoresha Donika është duke bërë një punë të mrekullueshme në kryeqytet me dizajnimin e pjesëve të ndryshme e po ashtu edhe në bashkëpunim me me ndërmarrjen “Gjelbër”, po bëjnë një punë të mrekullueshme, po i shihni ndryshimin në kryeqytet të gjitha zonat janë më të gjelbëra janë më të pastërta. Tashmë kemi edhe një numër më të madh të luleve që do të mbillen në këtë kohë të pranverës këtu në kryeqytet, pra është iniciativë e cila është pjesë e misionit tonë të transformimit të kryeqytetit” – deklaroi kryetari Rama.
Ndërsa, drejtoresha e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, kërkoi nga qytetarët që të bashkohen në iniciativa të tilla.
“Sot festojmë Ditën e Tokës kjo mbjellje është vetëm simbolike në fakt pjesë e procesit tonë vjetor të mbjelljes dhe implementimit regjenerimit të hapësirave të gjelbërta gjithsej në këtë javë do të mbillen rreth 300 drunjë në shkolla hapësira publike përreth trotuareve në vendet ku ka më së shumti ka nevojë. Kjo ditë festohet duke bërë ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve se toka dhe ekosistemet e saj na japin jetën dhe ushqimin, andaj ftoj edhe qytetarët e tjerë për iniciativa të tilla sado të vogla të cilat mbrojnë mjedisin dhe njëkohësisht edhe kryeqytetin tonë”- deklaroi drejtoresha Çetta.