- 23 Apr 2024
Institucionet e Kryeqytetit dëshirojnë të sqarojnë për publikun një numër të çështjeve nga deklarata e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve (FDK), si vijon:
Kryeqyteti ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës në trajtimin e problemit të qenve endacak. Në këtë mënyrë ka përfshirë organizatat e shoqërisë civile, veterinarë të licencuar, operatorë ekonomik e të tjerë, përfshirë këtu edhe FDK. Dy grupe punuese të themeluara nga Kryeqyteti me pjesëmarrje të këtyre akterëve janë takuar për zgjidhjen e problemit.
Qeverisja aktuale e Kryeqytetit brenda dy viteve ka trajtuar mbi 3400 qen endacak me metodën KSVL (kastrim, sterilizim, vaksinim dhe lëshim), pra të gjithë qentë e evidentuar në atë kohë. Është një progres i madh në krahasim me 500 qen të trajtuar nga qeverisja e kaluar. Raportimi i FDK potencon rritje të numrit të qenve, gjë që është evidentuar edhe nga Kryeqyteti, dhe kjo vie si pasojë e lëshimit të vazhdueshëm të qenve endacak nga qytetarë të papërgjegjshëm shpesh edhe në formë të organizuar dhe në numër të madh. Për këtë Kryeqyteti ka publikuar edhe dëshmi.
Prandaj deklarimi i FDK se “Të dhënat e fundit tregojnë që masat e ndërmarra nga komuna për menaxhimin e popullsisë së qenve, kanë pasur efekt regresiv në kontrollin e riprodhimit të qenve në rrugë,” është e pasaktë. Për më tepër, FDK e potencon se qentë endacak janë përgjegjësi e nivelit qendror, në veçanti Agjencisë për Veterinari dhe Ushqim. Fatkeqësisht, mbështetja nga niveli qendror deri tani ka munguar në tërësi.
Po ashtu, Kryeqyteti inicoi procesin e adoptimit të qenve endacak, duke ofruar edhe subvencionim 50 Euro në muaj si masë për lehtësimin e problemit të qenve endacak. Ky proces është duke u zhvilluar ende, dhe deri tani ka pasur rreth 100 adoptime. Ne shpresojmë që gradualisht të rritet vetëdija e qytetarëve dhe të fillojnë të adoptojnë më shumë. Në anën tjetër, angazhimi i organizatave të merren me mbrojtjen e kafshëve, përfshirë këtu FDK ka qenë i padukshëm, duke mos mbështetur fare Kryeqytetin në proces, e në veçanti duke mos adoptuar qen. Prandaj, në vend të kritikave të pasakta, Kryeqyteti do ta kishte çmuar angazhimin dhe mbështetjen nga këto organizata për zgjidhjen e këtij problemi.
Kryeqyteti ka ndërmarrë edhe veprime të shumta si krijimi i pikave ushqyese për qen, dhe ushqimi i vazhdueshëm; ndërtimi i Qendrës për Trajtim të Kafshëve; dhe është në proces të ndërtimit të Qendrës për Strehim Emergjent. Mirëpo, duhet të ripërsërisim edhe një herë se përgjegjësia për zgjidhjen e këtij problemi nuk është i Kryeqytetit, por i gjithë shoqërisë sonë, duke u nisur nga institucionet e nivelit qendror, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarëve.