- 26 Apr 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, prit në takim Bekim Jasharin, me të cilin diskutoi rreth vendosjes së monumentit të heroit të kombit, Adem Jashari. Ky monument synon të nderojë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari, të cilët luajtën një rol të pazëvendësueshëm në lirinë e Kosovës.
Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht mbi zgjedhjen e lokacionit më të pershtatshëm për vendosjen e monumentit, si dhe mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të familjes Jashari në procesin e krijimit të saj, për të siguruar një përfaqësim të denjë dhe të saktë të figurës së Adem Jasharit.
"Kënaqësi e madhe të takohesha me Bekim Jasharin. Bashkë diskutuam për zgjedhjen e lokacionit dhe angazhimin e familjes Jashari në procesin e krijimit të monumentit të Heroit të Kombit, Adem Jashari. Për kryeqytetin, është njëkohësisht një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të kemi shtatoren e heroit tonë dhe të nderojmë sakrificën e familjes Jashari për lirinë që ne sot gëzojmë." – deklaroi Kryetari Rama.
Ky monument pritet të bëhet një pikë referimi për brezat e ardhshëm, duke i mësuar ata për vlerat e lirisë dhe sakrificës, si dhe duke i mbajtur gjallë kujtimet e atyre që luftuan për pavarësinë e Kosovës.