- 02 May 2024
Të enjten në Prishtinë u mbajt Panairi i Shkencës dhe Kulturës i organizuar nga nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Natyrore "Xhevdet Doda", duke shkëlqyer në cilësinë dhe diversitetin e aktiviteteve të paraqitura. Nenkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku, e cila mori pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, tha: "Gjimnazi Xhevdet Doda gjithmonë ka qenë burim krenarie për arsimin shqip në Kosovë dhe kjo ditë dëshmon përsëri se është epiqendra e cilësisë së arsimit në Prishtinë."
Nxënësit dhe stafi pedagogjik i gjimnazit shfaqën nivelin e tyre të lartë shkencor dhe kulturor me ekspozime interesante dhe eksperimente inovative. Nën kujdesin e tyre, panairi u bë një përvojë mësimore e mbushur me dituri dhe frymë krijuese. Nxënësit, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme, kryen analiza të gjakut, teste psikologjike, dhe aktivitete filozofike, duke demonstruar se janë pjesë e një brezi të ri shkencëtarësh dhe intelektualësh të talentuar.
Nënkryetarja Lushaku, në një nga aktivitetet e panairit, tha se ishte një paradite fantastike dhe premtoi mbështetjen e Kryeqytetit për iniciativat kreative të nxënësve dhe shkollave që ndjekin cilësi dhe modernizim në arsim. "Për kryeqytetin tonë, arsimi është prioritet dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim çdo hap drejt një arsimi të përmirësuar dhe inovativ," shtoi ajo.
Ky panair shkencor dhe kulturor tregoi potencialin e madh dhe talentin e nxënësve në Gjimnazin Xhevdet Doda dhe përforcoi besimin në fuqinë e arsimit në Kosovë.