Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me KEDS Energy, për rivitalizimin e "Bllokut të parë të banesave"

- 27 May 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë, KEDS Energy, për investimet e nevojshme në rrjetin elektrik në lagjen "Blloku i parë i banesave" në Prishtinë, në kuadër të projektit "Iniciativa për transformimin urban" i cili parasheh rivitalizimin e kësaj lagjeje të kryeqytetit. 
 
Me këtë rast kryetari Rama tha se ky bashkëpunim do të mundësojë realizimin e duhur të projektit të rivitalizimit të "Bllokut të parë të banesave". 
 
"Shpejt fillojnë punimet për rivitalizimin e lagjes "Blloku i parë i banesave" për t'i dhënë një pamje krejtësisht ndryshe, shumë më të veçantë e përplot jetë" - deklaroi kryetari Rama. 
 
Kryeshefi ekzekutiv i KEDS Energy, u shpreh falënderues për bashkëpunimin me Kryeqytetin Prishtina, si dhe u zotua se investimet në rrjetin elektrik në lagje do të jenë si duhet.