Përurohet parku i ri, rreth tre hektarësh, në fshatin Drenovc të Prishtinës

- 29 May 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtoren e Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Cetta, dhe banorët e fshatit Drenovc, përuruan parkun e ri prej 2.6 hektarësh në qendër të këtij fshati të Prishtinës.

Kryetari Rama me këtë rast tha se po punohet vazhdimisht në transformimin e Kryeqytetit dhe më së miri këtë e dëshmon krijimi i hapësirave të reja rekreative kudo në Prishtinë, të cilat më parë kanë qenë deponi mbeturinash, sikur kjo e fshatit Drenovc.

“Ky park përmban shtigje për ecje, zona rekreative për piknik, mobiliarë për pushim, kënd të lodrave për fëmijë, hapësira fitnesi dhe shumë zona të gjelbërta, të mbjella me drunj dekorativ dhe frutorë, të cilët do të krijojnë biodiversitet në këtë pjesë të bukur të Kryeqytetit” – deklaroi kryetari Rama.

Drejtorja Cetta ftoi të gjithë qytetarët që ta vizitojnë këtë park, për krijimin e së cilës u shprehën shumë falënderues banorët e fshatit Drenovc.