- 07 Jun 2024
“E ardhmja e Prishtinës, sot”, konferencë për punën njëvjeçare të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, projekte të cilat janë në tenderim e tjera që pritet të tenderohen shpejt, e po ashtu realizohen
Ky përcaktim i yni nuk është thjesht një togfjalësh abstrakt në trajtën e një slogani, por është një pamje e qartë e qytetit të së ardhmes, pra e Prishtinës të së ardhmes, ashtu siç meriton të jetë kryeqendra e republikës dhe siç po bëhet e do të bëhet, padyshim.
Që prej bulevardit qendror, që do t’i lidhë 200 mijë prishtinas në këmbë, përmes mbikalimeve për këmbësorë dhe nënkalimeve për makina, bashkë me riorganizimin e tërësishëm të trafikut – si zgjidhje përfundimtare e këtij problemi kaq kritik, rrëfimi për qytetin do të jetë krejt i ndryshëm nga ai i sotmi. Do të jetë digjital, madje. I tillë si i gjithë qyteti, përmes hartës së tërësishme, digjitalizmit të ndërtesave publike dhe ngrehinave të reja, bashkë me shumicën shërbimeve të rëndësishme administrative.
E ardhmja dhe e shkuara e Prishtinës trajtohen me kujdes, në çerdhe-kopshtet dhe qendrat sociale, të krijuara për të plotësuar çdo kërkesë dhe për t’iu përshtatur nevojave në ndryshim të vazhdueshëm. Rrëfimi për sportin përcaktohet nga Fshati Olimpik, për të cilin është punuar Masterplani. Ai për kulturën dhe artin, përmes ndërhyrjeve në objekte ikonike, të cilave po u japim jetë të re. Krejt këto, duke ruajtur të vjetrën, që kthehet në atraksion turistik.
Është kjo një fushëpamje e ngushtë, e cila gjerësisht u shpjegua përgjatë konferencës dhe të tillë e kemi nxjerrë në katalogun me projektet më të rëndësishme në të cilat ka punuar Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit përgjatë një viti, e të cilat janë në tenderim e një pjesë pritet shpejt të nisin punimet.