Tony Blair nderohet me "Çelësin e Qytetit" dhe shpallet "Qytetar Nderi" për kontributin e dhënë në çlirimin e Prishtinës

- 11 Jun 2024

Ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, të hënën u nderua me “Çelësin e Qytetit” dhe u shpall “Qytetar Nderi” i Prishtinës nga kryetari Përparim Rama dhe Asambleja komunale që u mblodh në një seancë të veçantë për nder të ish-kryeministrit britanik.

Blair u nderua me cmimin për kontributin e dhënë për clirimin e Kosovës 25 vjet më parë, sa ishte kryeministër i Britanisë së Madhe.

“I falënderohem edhe një herë publikisht për të githë atë që ka bërë, edhe për popullin kosovar këtu, shqiptarët në Kosovë, mirëpo edhe për popullin shqiptar në Britani sepse Britania na ka dhënë mundësinë që ne të jemi të barabartë atje, që ne të edukohemi, që ne të shkollohemi që të bëhemi pjesë e shtetit britanik e njëherazi të kemi mundësi tash edhe shtetin këtu në Kosovë,” u shpreh kryetari Përparim Rama.

Blair tha se vendet që 25 vite më parë i qëndruan në krah Kosovës vijojnë ta mbështesin edhe sot për të ndërtuar një të ardhme të ndritur.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne që ishim në krah të Kosovës me krenari me ato ditët e errëta para 25 vjetësh është me rëndësi që ne qëndrojmë me ju në prag të diçka shumë optimiste në këtë kapitull të ri të historisë së vendit dhe dua të theksoj se për mua dhe institutin tim për punën që bëjmë tash, do t’ju ndihmojmë në çfarëdo mënyre të mundshme, sepse sa më të suksesshëm që të jeni ju, do të jetë aq më mirë për popullin këtu.”- shtoi Blair.

Blair u shpreh shumë falënderues për shpalljen “Qytetar Nderi” i Prishtinës.