- 13 Jun 2024
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar me çmimin “Helmeta Ilire” ish-oficerët e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, të cilët kanë marrë pjesë në hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në qershorin e vitit 1999.
Rreth 20 ish-oficerët u pritën në takim nga Rama, të cilët ndanë përvojat e tyre gjatë asaj kohe dhe vizitës në Kosovë.
Kryetari Rama vlerësoi lart kontributin e batalionit të Mbretërisë së Bashkuar dhe në shenjë respekti e në emër të qytetarëve u dhuroi “Helmetën Ilire”, të cilin e pranoi gjeneral majori Jeremy Rowen.
“E kam nderin që sot e kam batalionin britanik sot që kanë ardhur këtu të na nderojnë për festën e 25 vjetorit të lirisë. Janë njerëz këta që kanë hyrë të parët në Kosovë, që kanë dhënë kontributin më të madh të mundur për lirinë tonë që sot e gëzojmë, e që sot jemi të lirë t’i krijojmë tregimet tona për të ardhmen. Më vjen shumë mirë që edhe sot që kanë ardhur pas 25 vitesh të na vizitojnë, po e shohin një frymë pozitive, një energji pozitive, një zhvillim të bujshëm dhe të mirë të vendit tonë dhe po na falënderojnë që nuk ua kemi hedhur poshtë gjithë atë mund për të na çliruar vendin tonë. I kam falënderuar nga zemra dhe po ashtu u dhurova ‘Helmetën Ilire’, si një shenjë të respektit tonë në emër të qytetarëve të kryeqytetit, e po ashtu edhe gjithë Kosovës. Kontributi i shtetit britanik ndaj neve, Kosovës në përgjithësi, është shumë i madh”, tha Rama.
Rowen tha se Prishtina ka një impakt për batalionin britanik, duke shtuar se kryeqyteti tashmë është i gjallë, për dallim siç e kishte lënë para 25 viteve.
“Unë mendoj, nëse flisni me të gjithë këtu, siç e keni dëgjuar tashmë, të gjithë do të kenë një histori shumë të ndryshme, sepse kur erdhëm këtu ditën e parë, të gjithë punonin në sektorin e tyre sepse gjithçka duhej rindërtuar. Një nga gjërat shumë interesante për mua ishte se sa shpejt u kthyen njerëzit. Inteligjenca jonë ushtarake; nuk ishte shumë inteligjente, gjë që është normale, ata thanë se njerëzit nuk do të ktheheshin në qytet për dy deri në tre javë. Epo, ata u kthyen në ditën e parë, dhe njerëzit vërshuan qytetin. Dhe pritja atje ishte absolutisht e jashtëzakonshme. Mendoj rreth tre ose katër ditë pasi erdhëm në qytet, unë po ecja vetëm me përkthyesin tim, dhe ishte një kohë e jashtëzakonshme, sepse të gjithë burrat po afroheshin dhe më shtrëngonin dorën dhe gratë po vinin dhe po më përqafonin, e di se cilën preferoja unë, por, uh, dhe më jepnin gjëra për të ngrënë dhe për të pirë. Dhe kohën time personale, si shumë e kalova në sektorin mjekësor, duke u përpjekur për të rikthyer dhe funksionuar Spitalin Universitar, që ishte një sfidë e konsiderueshme”, potencoi Rowen.