Kryetari Rama dekori me “Çelësin e Qytetit” ish-gazetarin e BBC David Loyn

- 12 Jun 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i dhuroi “Çelësin e Qytetit” ish – gazetarit të BBC-së, David Loyn për kontributin dhe punën e tij gjatë luftës në Kosovë.
“Zotëri David Loyn, i cili gjatë kohës së luftës në vitin 1998-të ka qenë njeriu kyç që ka raportuar prej brenda Kosovës, edhe kanë qenë momente kyçe që kanë tregu të vërtetën së çka po ndodhë në Kosovë”- deklaroi kryetari Rama.

Gazetari Loyn u shpreh i nderuar për këtë vlerësim. Loyn deklaroi se ajo çka po mundohej të bënte me punën e tij ishte të tregohej e vërteta e historisë së ngjarjeve të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ishte historia juaj që ne treguam 25 vjet më parë. Ne po mundoheshim të tregojmë historinë e ngjarjeve të tmerrshme të verës dhe vjeshtës së 1998-tës. Besoj që nuk e kam kuptuar derisa sa u ktheva, tash 25 vjet më vonë, se sa shumë ajo gazetari ka pasur rëndësi dhe si ka ndryshuar kahjen dhe ndërroi gjendjen ndërkombëtarisht”- u shpreh Loyn.