- 25 Jun 2024
Në një përpjekje për të thelluar angazhimin e qytetarëve dhe për të adresuar çështjet që prekin jetën e përditshme, kryeqyteti organizoi të martën një diskutim publik me pjesëmarrjen e kryetarit të Kryeqytetit, z.Përparim Rama, nënkryetares, znj.Jehona Lushaku – Sadriu, drejtorit për investime kapitale dhe menaxhim të kontratave, z.Krenar Xhaferi, drejtorit të inspektoriatit të kryeqytetit, z.Florian Dushi, drejtorit të drejtorisë së urbanizmit dhe planfikimit strategjik, z.Arbër Sadiki, drejtores së drejtorisë së financave, znj.Valbona Makolli, drejtorit të shërbimeve publike, z. Bekim Brestovci, drejtorin e drejtorisë së shëndetësisë, z.Izet Sadiku, drejtorin e drejtorisë për siguri dhe emergjenca, z. Lulzim Fushtica, drejtorin e drejtorisë së sportit, z.Bardh Krasniqi, drejtoren e drejtorisë së kulturës, znj. Sibel Halimi dhe drejtoren e drejtorisë së hapësirave publike dhe parqeve, znj, Donika Çetta dhe qytetarëve të ndryshëm.
Ky takim i hapur u zhvillua në sallën e kuvendit të Kryeqytetit, me qëllimin e dëgjimit të drejtpërdrejt të shqetësimeve, propozimeve dhe ideve të qytetarëve për të ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik.
Drejtuesit e departamenteve dëgjuan me vëmendje dhe morën shënime mbi çështjet e ngritura nga qytetarët, të cilët shprehën nevojën për ndërhyrje më të madhe në disa prej zonave më problematike të qytetit. Diskutimi u cilësua si një hap i rëndësishëm për të vazhduar përmirësimet dhe për të siguruar një kryeqytet më të përshtatshëm për të gjithë banorët.
Pjesëmarrësit e takimit u zotuan të punojnë së bashku për transformimin e kryeqytetit në një vend më të mirë për të jetuar, duke u bazuar në transparencë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët.
Diskutimet publike do të vazhdojnë të mbahen rregullisht si pjesë e angazhimit të qytetit për të qenë më i hapur dhe i përgjigjshëm ndaj nevojave të banorëve të tij.