Kryetari i Kryeqytetit viziton inspektoratin për të rritur efikasitetin dhe bashkëpunimin

- 26 Jun 2024

Të mërkurën, gjatë ditës, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, vizitoi Inspektoratin e Kryeqytetit dhe u takua me drejtorin Florian Dushi dhe udhëheqësit e sektoreve përkatëse në këtë drejtori. Gjatë takimit, u diskutua për rritjen e prezencës së inspektorëve në terren, veçanërisht tani kur është rritur numri i tyre, si dhe për një koordinim më të madh ndërmjet inspektoratit dhe drejtorive të tjera me qëllim të shtimit të efikasitetit në punë.

Kryetari Rama theksoi rëndësinë e punës së përbashkët si një ekip i unifikuar për të garantuar që çdo veprim i ndërmarrë është transparent, i ligjshëm dhe i matshëm, me qëllimin e vetëm përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ai vuri në dukje se angazhimi dhe bashkëpunimi do të ndihmojnë në krijimin e një kryeqyteti më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë.