- 12 Nov 2014
Banorët e lagjes Veternik, përkatësisht ata që jetojnë në kompleksin banesor të njohur si “Banesat e Arabëve” së shpejti do të kenë mundësinë të lidhen drejtpërdrejtë në rrethrrotullim falë rrugës të cilën sot ka filluar ta ndërtojë Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Infrastrukturës Lokale.
Me rastin e fillimit të punimeve në këtë rrugë, Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi ,tha se më parë me plan rregullues nuk ka qenë e parashikuar kyçja e lagjes.
“Menjëherë i kemi filluar procedurat që ta bëjmë një ndryshim të planit rregullues, i cili ka kaluar në asamblenë komunale. Më pas, kemi filluar me projektimin e rrugës, si dhe është shpallur tenderi për këtë rrugë. Prona në të cilën ka filluar të ndërtohet kjo rrugë, është në pronësi të “Auto Motos” që është nën menaxhim të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), ndërsa kemi filluar procedurat e shpronësimit të kësaj rruge. Kompania që e ka fituar tenderin është zotuar se do të punojë me kapacitete të shtuara në mënyrë që sa më parë t’iu bëhet qasja e 15.000 banorëve të kësaj lagjeje me rrethrrotulimin që ndodhet në Veternik. Me plan dinamik janë të parashikuar 90 ditë pune, mirëpo ne do të mundohemi që gjatë nëntorit ta përfundojmë komplet ndërtimin e kësaj rruge”, tha drejtori Durmishi.
Gjatësia e rrugës e cila iu krijon qasje direkt në rrethrrotullim banorëve që jetojnë tek “Banesat e Arabëve” është 217 metra, ndërsa kontrata është në vlerë prej 158.070 eurove. Punët është duke i kryer kompania ABC.
Ndërsa, sonte do të hyjë në funksion edhe ndriçimi i rrethrrotullimit në lagjen Veternik, duke përfshirë tunelin dhe dy nënkalimet për këmbësorë.