- 04 Oct 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka prezantuar MASTER PLANIN e Gollakut gjatë Festivalit Global të Gastronomisë Shqiptare, i cili u mbajt në Berlin për dy ditë, me pjesëmarrje të gjerë nga përfaqësues të bizneseve ndërkombëtare dhe investitorë global.
Kryetari Rama theksoi rëndësinë e planit për ta shndërruar Gollakun në një qendër të rëndësishme për turizmin, bujqësinë dhe agroturizmin, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe pozicionimin e tij në hartën ndërkombëtare të destinacioneve turistike.
"Gjatë festivalit dy-ditor, promovuam bukuritë natyrore të Gollakut, trashëgiminë e pasur të kryeqytetit tonë dhe potencialet e mëdha për zhvillimin ekonomik dhe turistik, duke tërhequr interesin e investitorëve dhe profesionistëve nga e gjithë bota. Një moment i veçantë ishte takimi me Legjendat Shqiptare të Gastronomisë, Bruno Selimaj dhe Sabit Bytyqi, që përfaqësojnë më së miri traditat tona kulinare " - deklaroi Kryetari Rama.
Festivali Global i Gastronomisë Shqiptare, i cili bashkoi shijet e pasura dhe traditat e kuzhinës shqiptare, u shndërrua në një platformë ideale për të promovuar vlerat dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës dhe Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.
Përmes këtij plani transformues, Gollaku pritet të shndërrohet në një destinacion unik, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe investime në fushën e turizmit dhe ekonomisë lokale.