- 01 Jun 2015
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, instituti “Yunus Emre” ka dhuruar libra në vlerë prej 1.500 euro për Qendrën Kulturore për Fëmijë në Prishtinë. Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci fillimisht e falënderoi këtë institut për përkrahjen, sidomos në këtë ditë të shënuar për fëmijët me ç’rast në tërë Prishtinën është duke u zhvilluar edhe kampanja “Prishtina lexon”. Ajo tha se këta libra do të jenë në shërbim të fëmijëve të Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe janë tituj të ndryshëm të letërsisë për fëmijë nga shkrimtarë vendor dhe të huaj.
“Leximi ka një ndikim jashtëzakonisht të mirë tek fëmijët. Ky do të jetë fillimi i krijimit të një biblioteke edhe më të madhe për fëmijët e kësaj qendre. Në të ardhmen do të bashkëpunojmë me institutin “Yunus Emre” edhe për projekte të tjera, siç është konkursi për përzgjedhjen e fotografisë dhe pikturës për Prishtinën, ndërsa konkursi do të jetë i hapur deri më datë 8 qershor”, tha Bogujevci, e cila tha se kjo bibliotekë në të ardhmen do të pasurohet edhe më shumë.
Ndërsa, drejtori i institutit “Yunus Emre”, Bülent Yçpınar tha se është kënaqësi që fëmijëve të kësaj qendre . Ai tha se është befasuar për të mirë me organizimin “Prishtina lexon” dhe se pamjet ku fëmijët lexojnë në kënde të ndryshme në mënyrë të organizuar, janë mbresëlënëse. Gjithashtu, z. Bülent Yçpınar shprehu gatishmërinë dhe interesimin për bashkëpunim të mëtutjeshëm më Komunën e Prishtinës për projekte që janë në interes të përbashkët për fëmijë dhe të rinj.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore për Fëmijë, Teuta Musa tha se qëllimi është që fëmijëve t’iu ofrohet mundësia që të lexojnë sa më shumë.
Po ashtu, fëmijët e Qendrës Kulturore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, defiluan në sheshin e kryeqytetit duke mbajtur në duar pankartat në të cilat ishin të shkruara nenet e konventës ndërkombëtare të fëmijëve me qëllim të sensibilizimit të opinionit për të drejtat e fëmijëve.