Kryetari Përparim Rama siguron punëtorët e kompanisë “Pastrimi” që nuk do të mbesin pa punë

- 04 Dec 2024

Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike!
Punëtorët e kompanisë "Pastrimi" nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.
Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë "Pastrimi" për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët.
Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave.
Pavarësisht këtyre përmirësimeve, asamblistët opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë.
Një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet.
Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik.
Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë "Pastrimi" dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen!