Nisin diskutimet publike, qytetarët mirënjohës për projektet e realizuara dhe me kërkesa të reja

- 02 Jun 2015

Komuna e Prishtinës ka filluar me ciklin e ri të diskutimeve publike, me ç’rast gjatë muajit qershor do të zhvillohen një seri diskutimesh me qytetarë.

Në diskutimin e përgjithshëm ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me kabinetin e tij, qytetarët patën rastin të shprehin edhe kërkesat e tyre, mirëpo edhe mirënjohjen për punën e deritanishme të Komunës së Prishtinës lidhur me realizimin e disa prej kërkesave të tyre, siç janë investimet infrastrukturore që janë realizuar dhe ato që janë në vazhdën e realizimit në fshatin Sharban, mbyllja e bastoreve në lagjen Ulpiana, ndriçimi publik në këtë lagje, por edhe në shumë lagje të tjera gjë që, sipas tyre, ka shtuar në masë të madhe edhe sigurinë në lagje.

Qytetarët e pranishëm, në mesin e të cilëve kishte edhe kryetarë të Bashkësive Lokale, shtruan edhe kërkesa të ndryshme, siç është inventarizimi i disa Bashkësive Lokale, thjeshtimi i procedurave për pajisje me dokumentacion në Drejtorinë e Kadastrit, zgjerimi i hapësirave të gjelbra dhe vazhdimi i mbjelljes së fidanëve në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Po ashtu, në disa ankesa për shërbimet administrative, qytetarët e pranishëm patën rastin të informohen nga drejtori i Administratës, Muhedin Nushi se që nga funksionalizimi i kutive të ankesave, në pesë raste të caktuara janë shqiptuar masat ndëshkimore, ndërsa u inkurajuan nga ata që të evidentojnë me shkrim çfarëdo lloj pakënaqësie eventuale, si dhe ta deponojnë më pas në kuti të ankesave. Ankesat e banorëve të Hajvalisë kishin të bënin me deponitë ilegale, ndërsa ata u informuan nga drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla se ky është një shqetësim i veçantë për të cilin Komuna e Prishtinës, njëjtë si në rastin e “Fushës së Pajtimit”, është duke shqyrtuar mundësinë e hartimit të një projekti të veçantë në mënyrë që pas largimit të mbeturinave, ajo hapësirë të revitalizohet. Po ashtu, drejtori Sveçla tha se inspektorët janë në terren dhe në vazhdimësi procedohen raste nëpër gjykata për shkelje të natyrave të ndryshme, mirëpo ngathtësia me të cilën trajtohen rastet nga institucionet e drejtësisë në vazhdimësi paraqet problem për zbatimin dhe funksionimin e ligjit në përgjithësi. Ndërsa, lidhur me këtë çështje, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se janë duke u shqyrtuar modalitetet me institucionet përkatëse që për disa natyra të shkeljeve inspektorët të kenë të drejtën e shqiptimit të dënimit në vendin e ngjarjes. Po ashtu, në interesimin e qytetarëve rreth projektit të koogjenerimit dhe zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, kryetari Ahmeti tha se ky projekt është duke u zhvilluar në disa faza dhe se parakusht për zgjerimin e rrjetit është kyçja në termocentralin B2 në mënyrë që të përfundojë njëra fazë e projektit në mënyrë që më pas të fillojë edhe faza e riparimit dhe modernizimit të nënstacioneve, si dhe të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes me koogjenerim.

Një temë e veçantë e diskutimit ishin çështjet e ndryshme që ndërlidheshin me urbanizmin në kryeqytet. Më këtë rast, drejtori Liburn Aliu tha se që në vitin e parë të qeverisjes është bërë ridefinimi i përgjegjësive të zyrtarëve që punojnë në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, respektivisht personat që mirren me dhënien e lejes së ndërtimit, nuk mund të kenë përgjegjësi edhe për planifikimin, sic ka ndodhur në të kaluarën.
“Tash, në fund të këtij muaji do të ndahet Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Drejtorisë së Urbanizmit. Qëllimi është që të kemi një Drejtori të Planifikimit që do të formojë një ekip i cili do të jetë orientues, ndërkohë që hartimin e masterplaneve do ta bëjë Komuna por duke angazhuar edhe shërbime të jashtme. Për ta hartuar hartën zonale duhet ta shohim gjendjen ekzistuese reale. Për këtë arsye, jemi duke bërë matje gjeodezike dhe hulumtime të shumta”, tha Aliu, i cili njoftoi gjithashtu se janë arkivuar të gjitha lejet e dhëna ndër vite në Komunën e Prishtinës si dhe janë identifikuar të gjitha objektet pa leje. Ai tha se sipas të dhënave, rezulton se vetëm 16 mijë objekte janë me leje, ndërsa numri i atyre pa leje arrin në 46 mijë të cilat do të trajtohen me ligjin për legalizim.

Po ashtu, pjesë e këtij diskutimi ishin edhe kërkesat për zgjidhjen e problemeve të kanalizimeve në lagje të ndryshme të kryeqytetit, uzurpimi i hapësirave publike nga bizneset gjë që, sipas qytetarëve e vështirëson lëvizjen e këmbësorëve, si dhe u interesuan për projektin e trafikut urban, respektivisht për rregullimin

Ndonëse ishte paralajmëruar pjesëmarrja e kryetarit të Kuvendit Komunal, Halim Halimit në këtë diskutim publik, për shkaqe të disa angazhimeve të tij personale, ai nuk ishte i pranishëm në këtë diskutim.

Diskutimi i ardhshëm publik do të realizohet të enjten, me datë 4 qershor, me banorët e lagjes Ulpiana, në shkollën “Hasan Prishtina”. Në këtë diskutim të pranishëm do të jenë, nënkryetari Dardan Sejdiu dhe drejtorët Liburn Aliu dhe Ardian Gashi.