- 03 Jun 2015
Në disa shkolla të Komunës së Prishtinës është duke u punuar në përmirësimin e terreneve sportive dhe rregullimin e oborreve të shkollave. Drejtoria e Arsimit ka ndarë 200 mijë euro për projektin që do të mundësojnë kushte më të mira që nxënësit të merren me aktivitete sportive, mirëpo njëkohësisht të kenë edhe hapësira më atraktive dhe moderne në shkollat ku ata mësojnë.
Njëra ndër shkollat e shumta në të cilat do të investohet gjatë këtij vitit, është edhe shkolla “Faik Konica” ku aktualisht janë duke u rregulluar terrenet sportive.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci tha se këto projekte janë duke u realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Urbanizmit të cilët kanë bërë projektimin e këtyre hapësirave në shkolla.
“Qëllim i Drejtorisë së Arsimit është krijimi i kushteve më të mira për punë në shkollat tona. Që shkolla të jetë një vend ku fëmijët shkojnë me kënaqësi, mësojnë dhe zhvillohen përmes aktiviteteve praktike dhe lojës, ku bashkëpunojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre. Përmirësimi i këtyre terreneve sportive dhe oborreve të shkollave krijon mundësi për zhvillim të aktiviteteve që ndihmojnë në realizimin e këtij qëllimi. Përveç terreneve sportive, në shkollën “Faik Konica” do të krijohen hapësira edhe për dy klasa verore”, tha Nagavci.
Ajo, gjithashtu, tha se sporti është një prej gjërave më të rëndësishme për zhvillimin e një fëmije dhe në të ardhmen Drejtoria e Arsimit do të angazhohet që të ketë sa më shumë aktivitete rekreative dhe sportive nëpër shkolla.
Po ashtu, shkolla Faik Konica do të jetë njëra prej shkollave ku nga muaji shtator do të fillojë të zbatohet edhe mësimi tërëditor.