- 12 Nov 2014
Nagavci tha se tashmë janë realizuar një pjesë e madhe e zotimeve në fushën e arsimit që kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte zotuar se do të realizoheshin. Ajo u shpreh se tashmë rekrutimi i personelit në Institucionet Edukativo-Arsimore me pjesëmarrje të komunitetit, e jo si në të kaluarën ku përzgjedhja e mësimdhënësve është bërë me rekomandime, e në disa raste madje është e paqartë se si janë përzgjedhur punonjësit e arsimit, pasi që nuk ekzistojnë procesverbalet e komisionit vlerësues.
Nagavci shtoi se me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit, përzgjedhja e kandidatëve për intervistim nga komisionet vlerësuese është bërë në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, të mediave dhe të qytetarëve, ndërsa tashmë ka filluar edhe procedurave e verifikimit të kualifikimeve të mësimdhënësve, si dhe paralajmëroi se do të inspektohet edhe metodologjia e punës së tyre.
Po ashtu, Drejtoresha Arbërie Nagavci bëri të ditur se për herë të parë janë përzgjedhur dy Drejtorë dhe katër zëvendësdrejtorë të shkollave që kanë qenë të obliguar të prezantojnë para komunitetit edhe planin e zhvillimit të shkollës për periudhën katërvjeçare, në prani në komunitetit, shoqërisë civile dhe mediave. Njëkohësisht, ajo u shpreh se komisionet kanë qenë të përbëra edhe nga ekspertë të fushës së arsimit, ndërsa me rekomandim të tyre janë anuluar konkurset kur është vlerësuar se kandidatët-aplikantë nuk i kanë plotësuar kriteret.
Drejtoresha Arbërie Nagavci u shpreh se tashmë është përmbushur edhe zotimi për shpërndarjen e shujtave falas, për klasat I–V, me ç’rast do të përfitojnë 17.216 nxënës në 43 shkolla fillore të Prishtinës. Ajo i njoftoi gazetarët e pranishëm se tashmë ka filluar vendosja e dollapëve, respektivisht investimi në pajisjet shkollore me qëllim të lehtësimit të çantave të fëmijëve, ndërsa në fillim të gjysmëvjetorit të ardhshëm, ky zotim i Kryetarit Ahmeti do të jetë i përmbushur në tërësi.
Nagavci u shpreh se në të ardhmen janë planifikuar edhe trajnime për zhvillimin profesional të nxënësve, me qëllim që performanca e tyre të jetë sa më efektive dhe suksesi i nxënësve sa më real. Ajo paralajmëroi se gjithashtu planifikohet fillimi i projektit për digjitalizimin e ditarëve.
Ndërsa, sa i përket ndërtimit të shkollave, pas fillimit të procesit mësimor në gjimnazin matematik dhe në shkollën “Model”, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore si dhe realizimit të projekteve kapitale, planifikohet ndërtimi i shkollave në lagjen Kalabria, Sofalia, përfundimi i shkollës së muzikës, ndërtimi i shkollës në lagjen Veternik, në lagjen Mati 1, etj.
Drejtoresha Nagavci u shpreh se me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim, janë nxjerrë një sërë vendimesh që janë zbatuar plotësisht.
Ajo u shpreh se modeli i ri i çerdheve me bazë në komunitet dhe me kosto të përballueshme, si dhe siguria në institucionet shkollore, mbeten ndër objektivat kryesore të politikave të Komunës së Prishtinës, në fushën e arsimit.
Konferenca - Drejtoria e Arsimit - Arbërie Nagavci