Bogujevci: Zhvillimi i teatrit "Dodona" një prej prioriteteve të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

- 08 Jun 2015

Në një konferencë për media, drejtoresha e Drejtotrisë së Kulturës, Rinisë dhe Kulturës, Saranda Bogujevci ka prezantuar anëtarët e Këshillit Drejtues të teatrit të qytetit të Prishtinës “Dodona”, Jeton Budima – kryesues, Doruntina Basha – anëtare, Rebeka Qena – anëtare, Bekim Sele – anëtar, Artan Geca – anëtar. Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i  këtij teatri, Agron Shala.

“Si drejtori jemi në dijeni për gjendjen ekzistuese të teatrit të qytetit “Dodona”,  andaj do të bashkëpunojë ngushtë me këshillin e ri drejtues të këtij teatri, por edhe me drejtorin Agron Shala që të angazhohemi që të bëjmë zgjidhjet më të mira të mundshme qoftë sa i përket financimit, por edhe sa i përket repertuarit të këtij teatri. Aktualisht, mënyra e vetme e financimit është përmes subvencioneve, mirëpo kjo nuk do të jetë mënyra e vetme pasi që bashkërisht do të angazhohemi që të shqyrtojmë mundësitë edhe për forma të tjera të financimit të teatrit “Dodona”, tha drejtoresha Bogujevci, e cila shtoi se çdo gjë që është e nevojshme për zhvillimin e këtij teatri, do ta ketë përkrahjen e saj.

Drejtori i teatrit “Dodona”, Agron Shala, tha se ky teatër pos që ka nevojë për një buxhet të caktuar, po ashtu ka nevojë edhe për staf më të madh të punëtorëve, sidomos të aktorëve dhe se këto janë nevoja që tash e sa vite paraqiten si domosdoshmëri për funksionimin e mirëfilltë në teatrit “Dodona”.  Shala, gjithashtu, tha se shpreson se në realizimin e këtyre kërkesave nuk do të mungojë as përkrahja e Këshillit të ri Drejtues.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të teatrit “Dodona”, Jeton Budima tha se planifikohet që nga këshilli të ndërtohet një strategji më afatgjate, mirëpo edhe kompletimi i teatrit “Dodona” me të gjithë stafin e nevojshëm. Ai tha se ka indikacione se buxheti i vitit 2016 do të jetë më i favorshëm për teatrin “Dodona” dhe se është e rëndësishme që të krijohet një vizion i ri, respektivisht krijimi i një teatri modern që do të jetë në hap me kërkesat e publikut.