Komuna e Prishtinës me plane dhe projekte konkrete për personat me nevoja të veçanta

- 09 Jun 2015

Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM)  në kuadër të angazhimeve të saj, ka bërë edhe identifikimin e trotuareve, vendkalimeve për këmbësor, shesheve dhe hapësirave publike në mënyrë që të planifikohet qasja e personave me nevoja të veçanta. Gjithashtu, sipas marrëveshjes me OJQ “Handikos”, është duke u planifikuar rregullimi i qasjes në banesat kolektive ku banojnë personat me nevoja të veçanta, si dhe qasja në institucionet shtetërore, lokale, spitale, qendra te mjekësisë familjare dhe shkollave.

Kryeqyteti vazhdon të jetë vështirë e qasshme për personat me nevoja të veçanta. Andaj, studentë të angazhuar nga OJQ “KAF”, nën mbikëqyrje të Komunës së Prishtinës, kanë bërë identifikimin e pengesave të lëvizjes së lirë të personave me nevoja të veçanta nëpër trotuaret e rrugëve, në zonën Qendër. Deri më tani, është analizuar situata në rrugët: “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Dëshmorët e Kombit”, “Luan Haradinaj”, “Agim Ramadani”, “Rexhep Luci”, “Tringë Smajli”, “Eqrem Çabej”, “Robert Doll”, “Tirana”, “Pashko Vasa”, “Mujo Ulqinaku”, “Fehmi Agani”, “Radovan Zogoviç”, “Mbreti Zog”, “Kosta Novakoviç” dhe rrugën “Bill Klinton”.

Njëkohësisht, ekipet e DUNMM – së, kanë bërë vizita në banesat kolektive ku banojnë personat me nevoja të veçanta, duke iu referuar listës që e ka dorëzuar OJQ “Handikos”. Me këtë rast, janë identifikuar të gjitha pengesat si dhe është përgatitur plani ku do të vendosen rampat dhe ashensorët që do të mundosojnë qasjen në hyrjet e banesave për personat me nevoja të veçanta.

Tashmë janë të gatshme projektet për pesë raste të ndryshme që gjendet në lagjen “Dardania" dhe në “Kodrën e Diellit”, ndërsa këto projekte do të realizohen gjatë muajve në vijim. Të gjitha planet bëhen në përputhje me udhëzimin administrativ për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara.
Vlen të theksohet se ata persona me nevoja të veçanta që kanë nevojë për përdorim te ashensorit, do të trajtohen si raste priroritare.

Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar për eliminimin e barrierave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave me nevoja te veçanta. Aktualisht janë duke u bërë edhe matjet për rregullimin e rampave nëpër shkolla, ndërsa së shpejti do të vazhdohet me analizimin dhe projektimin e hapësirave në Qendrat e Mjekësisë Familjare si dhe të objekteve të tjera që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.