Liburn Aliu: Së shpejti të gjitha rrugët e Komunës së Prishtinës do të emërtohen

- 10 Jun 2015

“Për sa i përket emërtimit të rrugëve, për një kohë të gjatë Komuna e Prishtinës nuk i ka pasur rrugët e definuara. Vetëm një pjesë e zonës qendër i ka pasur të definuara si dhe disa rrugë në kryesore periferi. Pas disa muajve punë me radhë që është bërë nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUMM), aktualisht kemi arritur ta përfundojmë tërë zonën duke i përfshirë edhe të gjitha fshatrat e Komunës së Prishtinës. Së shpejti do të organizohet dëgjimi publik. Komisioni i cili i ka përcaktuar këto emërtime përbëhet nga këshilltarë komunal nga subjekte të ndryshme politike. Pjesë teknike e këtij komisioni kanë qenë edhe përfaqësuesit e drejtorive përkatëse të cilët janë marrë me pjesën teknike të realizimit të emërtimit të rrugëve. Janë kryer të gjitha emërtimet. Pritet që të mbahen diskutime publike dhe për dy javë secili qytetar mund t’i jep sugjerimet dhe vërejtjet e tij. Më pas, për emërtimin e rrugëve do të votohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe pas votimit do të fillojë faza e vendosjes së tabelave në tërë Komunën e Prishtinës, sipas planifikimit”, kështu deklaroi drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu në një diskutim publik me banorët e lagjes së Veternikut.

Përtej problemeve të ndryshme, banorët e Bashkësisë Lokale nr 5 gjatë këtij diskutimi publik që Komuna e Prishtinës e organizoi me banorët e lagjes Veternik, ballafaqohen edhe me një problem më specifik. Ky takim i cili ishte planifikuar me qëllim që të dëgjohen problemet e banorëve të kësaj pjese të kryeqytetit ka shpërfaqur një problem më të thellë – paqartësitë rreth ndarjes territoriale të Bashkësisë Lokale nr 5. Kjo ka bërë që banorët e lagjes Veternik të ankohen tek kryetari i Bashkësie Lokale për prezencën e atyre banorëve që banojnë në Hajvali me pretekstin se diskutimet publike duhet të jenë të ndara.

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu tha se është duke u bërë ritrajtimi territorial në Komunën e Prishtinës në mënyrë që Bashkësitë Lokale të jenë sa më funksionale dhe qytetarët të jenë sa më të organizuar.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me projektin DEMOS në kuadër të HELVETAS, është duke punuar në ndarjen e re territoriale të Bashkësive Lokale të Komunës së Prishtinës, bazuar në sistemin e zonave kadastrale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me ç’rast numri i bashkësive lokale nga 33 sa aktualisht definohen në rregullore do të rritet në 42 në përputhje me sistemin kadastral.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia i informoi të pranishmit se tashmë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit dhe Drejtorinë e Urbanizmit është bërë identifikimi i një parcele të përshtatshme, e cila ndodhet në afërsi të restorantit “Kulla” për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, i njoftoi të pranishmit se për ndërtimin e shkollës, janë duke u shqyrtuar disa prona ndërsa planifikohet që përmes një konkursi publik të përzgjidhet projekti më i përshtatshëm për ndërtimin e shkollës konform të gjitha standardeve. Nagavci u përgjigj edhe në interesimin e banorëve lidhur me pilot projektin për qëndrimin tërëditor në shkolla duke ua sqaruar se kjo nuk nënkupton qëndrimin tërëditor brenda objektit të shkollës, për në bashkëpunim me prindërit do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme edukative dhe kulturore për nxënësit.