Komuna e Prishtinës iu premton banorëve të lagjes “Pejton” mbjelljen e fidanëve dhe vendosjen e shtyllave antiparking

- 15 Jun 2015

Drejtori i drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit z. Ardian Gashi dhe udhëheqësja e kabinetit të kryetarit, znj. Fitore Pacolli mbajtën diskutim publik me banorët e lagjes “Pejton”. Temat kryesore e këtij diskutimi ishin çështjet e infrastrukturës rrugore dhe problemet me hapësirat publike.

Banorët e kësaj lagje e falënderuan Komunën e Prishtinës për kultivimin  hapësirave të gjelbra, ndriçimin publik, si dhe për lehtësirat që janë krijuar për pajisjen me dokumente në komunë. Ndërsa, kërkesat kryesore që i paraqitën qytetarët e kësaj lagje ishin problemi me vendparkingje, riparimet e ashensorëve, problemi me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, problemi me mbeturina, etj. Gjithashtu, një shqetësim i tyre i theksuar ishte edhe zhurma e lokaleve deri në orët e vona të natës.

Ata po ashtu kërkuan që edhe në këtë lagje të mbillen fidanë si dhe të shqyrtohet mundësia e kyçjes së kësaj lagjeje në ngrohtoren e qytetit përmes sistemit të koogjenerimit.
Lidhur me këto shqetësime të parashtruara, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Z. Ardian Gashi u përgjigj në kërkesat e qytetarëve të pranishme si dhe ofroi shpjegimet konkrete se në cilën fazë të punimeve gjenden projektet të cilat kanë filluar të realizohen nga komuna e Prishtinës dhe që ndërlidhen me lagjen “Pejton”.

Z. Gashi tha se së shpejti pritet edhe rregullimi i trotuareve, duke filluar nga rruga “Garibaldi” për të vazhduar më rrugë të tjera. Ai tha se, gjithashtu, planifikohet edhe vendosja e shtyllave antiparking dhe mbledhja e fidaneve, ndërsa të qytetarëve të pranishëm iu premtua se ekipet përgjegjëse do të intervenojnë menjëherë në riparimin e ashensorëve.

Diskutimi publik i radhës do të mbahet sot, me datë 15 qershor, me banorët e lagjes “Mat”, në shkollën “Mitrush Kuteli”, në ora 18:00. Në këtë diskutim do të jenë të pranishëm drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, z.Hysen Durmishi dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, z.Liburn Aliu.