Shitësit ilegal largohen nga sheshi kryesor i Prishtinës

- 16 Jun 2015

Pas vërejtjeve të njëpasnjëshme për ta liruar sheshin, ankesave të qytetarëve – veçanërisht të prindërve që me fëmijë shëtisin në sheshin kryesor, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës sot ndërmori aksionin për lirimin e hapësirave publike nga shitësit ilegal.

“Drejtoria e Inspekcionit në vazhdimësi iu ka tërhequr vërejtjen shitësve ambulantë duke kërkuar nga ata që t’i lirojnë hapësirat publike dhe pasi që të njëjtit nuk i kanë përfillur kërkesat e inspektoratit të Komunës së Prishtinës, sot Drejtoria e Inspekcionit ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike me ç’rast janë larguar të gjithë shitësit ambulant nga sheshi kryesor i Prishtinës si dhe janë konfiskuar mallrat dhe shqiptuar gjobat për shitësit ilegal”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Inspektorët e Komunës së Prishtinës në vazhdimësi kanë vizituar pikat e shitjes së shitësve ilegal. Pas aksionit të sotshëm, Komuna e Prishtinës bën të ditur se sheshi duhet t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve, e jo vetëm një grupi të caktuar, andaj nuk do të tolerohet shitja e produkteve të ndryshme pa përfillur ligjet ne fuqi.
Respektivisht, pas këtij aksioni të Drejtorisë së Inspekcionit asnjë shitës nuk do të lejohet të shes ilegalisht produkte në sheshin kryesor të kryeqytetit, ndërsa ekipet e inspektoratit në vazhdimësi do të bëjnë kontrolle dhe do të shqiptojnë gjoba nëse hasen raste të tilla.