LDK dhe PDK të vendosur për të bllokuar zhvillimin e Prishtinës

- 18 Jun 2015

Mbledhja e pestë e Kuvendit Komunal të Prishtinës filloi me indinjatën e grupit të asambleistëve të AAK – së për arrestimin e kryetarit të kësaj partie me ç’rast ata kërkuan nga institucionet përgjegjëse që sa më parë të angazhohen në lirimin e Ramush Haradinajt. Me këtë kërkesë u solidarizuan të gjitha grupet politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndërsa pas kësaj, në shenjë proteste ndaj institucioneve qendrore, asambleistët e AAK – së lëshuan mbledhjen.

Mbledhja vazhdoi me refuzimin e asambleistëve të PDK – së dhe LDK – së që të votojnë çdo pikë që është sjellë në Kuvendin Komunal nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, me pretekst politik, pavarësisht se bëhej fjalë për propozimvendime shumë të rëndësishme: Propozimvendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Planit rregullues të lagjes “Kalabria”; Propozimvendimi për fillimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit rregullues të lagjes “Mati1” dhe Propozimvendimi për dhënien e pëlqimit për ndryshime në infrastrukturë në një pjesë të Planit rregullues të lagjes “Lakrishte”.
Rrjedhimisht, ansambleistët votuan për largimin nga rendi i ditës të këtyre propozimvendimeve.

Në vazhdim, drejtori i Drejtorisë së Financave dhe Pronës, Visar Berisha, foli për rëndësinë e votimit të Propozimvendimit për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër dhe Propozimvendimin për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë, respektivisht të pikave 6 dhe 7 të rendit të ditës.

“Ky vendim ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të Komunës për shfrytëzim afatshkurtër. Është fjala për disa zona të Komunës që ndodhen në zonën kadastrale në Barilevë. Në këtë vendim janë të qartësuara parcelat, numrat dhe sipërfaqja e tyre”, tha Berisha i cili specifikoi edhe parcelat dhe sipërfaqet e këtyre parcelave.

Ai tha se qëllimi i dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të Komunës është nxitja e zhvillimit ekonomik, përmes zhvillimit të bujqësisë në komunën e Prishtinës, e veçanërisht të nxitjes së prodhimit vendor.

“Vlerësojmë se në Komunën tonë ekziston një potencial për zhvillimin e bujqësisë, sidomos në zonat e paraqitura. Gjatë viteve të fundit është parë mundësia për prodhimet në bujqësi, për zëvendësimin e disa importeve si dhe për disa kultura që mund të destinohen për eksport. Të gjitha këto toka të propozuara janë aktualisht të pashfrytëzuara dhe nuk është duke u shfrytëzuar potenciali i këtyre tokave, andaj me dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave, ato do të aktivizoheshin dhe shfrytëzoheshin për zhvillimin e bujqësisë që rrjedhimisht edhe në krijimin e një vlerë të re në treg, si dhe në krijimin e disa vendeve të reja të punës që do të ndikonin në zbutjen e papunësisë”, tha drejtori i Drejtorisë Financave dhe Pronës, Visar Berisha.

Mirëpo, edhe për këto dy propozimvendime asambleistët e LDK – së dhe PDK –së votuan kundër, pa dhënë kundëragumente të qëndrueshme.

Në ndërkohë, e vetmja pikë për të cilën u votua pro, ishte propozimvendimi për vazhdimin e dhënies të pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim të AUK – së.

Në këtë mbledhje, gjithashtu, u bë edhe një prezantim lidhur me punën dhe aktivitetet e Kryqit të Kuq të Kosovës, si dhe u dha informatë për mbjelljet pranverore.