- 20 Jun 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS), Arben Vitia, sot ishin të pranishëm në hapjen e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare (QMF), nr 11, në “lagjen e Muhaxherëve”.
Kryetari Shpend Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës një vit më parë zhbllokoi ndërtimin e QMF – së në lagjen e Muhaxherëve duke larguar disa ndërtime në pronë komunale, ndërsa u zotuam se kjo kjo Qendër e Mjekêsisë Familjare do të përfundojë brenda afatit të kontratës.
“Lirisht mund të them se kjo QMF është më e mira që ka Prishtina deri më tani. Në katin përdhesë do të jetë Bashkësia Lokale dhe qytetarët e kësaj lagjeje do të kenê shërbime më cilësore të shëndetësisë dhe shërbime më të mira administrative”, tha Ahmeti.
Ndërsa, drejtori i DSHMS – së, Arben Vitia tha se ky objekt në aspektin infrastrukturor i plotëson të gjitha kushtet sipas të gjitha standardeve, ndërsa profesionistët shëndetësor do të jenë në krye të detyrës për të ofruar shërbime sa më cilësore në këtë QMF.
Qendra e posahapur e Mjekësisë Familjare fillimisht do të fillojë shërbimet bazë të kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa së shpejti pritet të fillojnë edhe shërbimet laboratorike, stomatologjike etj.