Punëtoria për Planin Rregullues Urban për zonën “Qendra 1 dhe 2” - 24 qershor 2015

- 24 Jun 2015

Komuna e Prishtinës ka aprovuar Planin Rregullues Urban për zonën “Qendra 1 dhe 2”, të vitit 2005. Procesi i zbatimit të këtij plani është dëshmuar të jetë mjaft sfidues, prandaj Komuna e mbështetur nga organizata CHwB- Trashëgimia kulturore pa Kufij, ka iniciuar një proces të konsultimit me publikun/komunitetin e lagjes, për të identifikuar çështjet kyçe që janë parë si pengesë në zbatimin e planit.

Organizimi i procesit të konsultimeve ka filluar në muajin janar dhe aktivitetet e parapara me publikun do të vazhdojnë deri në muajin korrik.

Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM) është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha palët e interesuara gjatë implementimit të këtij plani, duke promovuar në këtë mënyrë një bashkëpunim të mirëfilltë me qytetarët gjatë këtij procesi. Qëllimi i kësaj punëtorie është njoftimi i pjesëmarrësve me rezultatet e hulumtimit të zhvilluar në lidhje me implementimin e planit rregullues “Qendra 1 dhe 2”, dhe përcaktimi në hapësirë i problemeve të identifikuara nga qytetarët.
 
Tubimi filloi me një prezantim nga përfaqësues të DUNMM-së, duke sqaruar Planin Rregullues Urban dhe Planin Zhvillimorë Urbanstik, si dhe përpjekjeve dhe sfidave të harmonizimit të të dy planeve.
 
Nga prezantimi i pyetësorit të bërë nga CHwB-ja mbi Planin Rregullues Urban në zonën “Qendra 1 dhe 2” u sqarua gjendja reale rreth pjesëmarrjes së qytetarëve në planifikimin e lagjes si dhe informimin e tyre para planifikimit të PRrU-se. Sipas pyetësorit, 65 % të qytetarëve nuk kanë qenë në dijeni gjatë hartimit të PRrU-se si dhe 39% as nuk janë në dijeni rreth përmbajtjes së këtij plani. Sa i përket problemeve të cilat hasin qytetarët në këtë zonë rezulton të jenë parkingjet 49.73%, trotuaret 7.48%, gjelbërimi 16.57%. Ndërsa kur janë pyetur se me çfarë parakushtesh do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjen e tyre, 39% e tyre do të kontribuojnë vetëm nëse edhe të tjerët kontribuojnë. 
 
Punëtoria përbëhej prej 5 grupeve punuese të cilët në konsultim me nga një zyrtarë nga 
DUNMM-ja i shpalosën sfidat dhe problemet e lagjes duke i prezantuar më pas para të gjitha grupeve në mënyrë të diskutimit gjithëpërfshirës. Si rezultat final, brenga kryesore e qytetareve është PRrU-ja e cila nuk përshtatet me kërkesat dhe interestat e banorëve. Koeficientët, infrastruktura, legalizimi, parkingjet, institucionet arsimore ishin ndër problemet kryesore gjithëpërfshirëse si dhe shumë probleme tjera individuale rreth shpronësimit të pronave. 
 
Në këtë punëtori morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetaresh, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës: Gyler Mydyti, Florim Krasniqi si dhe zyrtarë të tjerë të cilët ndihmonin qytetarët në sqarimin e problemeve dhe brengave të tyre sa i përket problematikave të lagjes. Të pranishëm ishin edhe Rudina Qerimi dhe përfaqësues të tjerë nga CHwB, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, si dhe përfaqësues të bizneseve,kryesisht ndërtimore.