Durmishi: Fillimisht do të bëhet zgjidhja e kanalizimeve, e më pas do të asfaltohen rrugët - 24 qershor 2015

- 24 Jun 2015

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi mbajti diskutim publik me banorët e fshatrave Bardhosh, Bërnicë, Trudë dhe Sinidoll.
Në këtë diskutim, Durmishi tha se pavarësisht se janë të shumta problemet me të cilat përballet Komuna e Prishtinës, e në veçanti fshatrat përreth, qëllimi i diskutimeve publike është që bashkërisht me banorët t’i përcaktojmë prioritetet e investimeve.

“Herën e fundit kur kemi qenë në diskutim publik këtu kemi diskutuar për shumë probleme. Shumë prej tyre tashmë sa i përket çështjeve infrastrukturore janë në procedurë të tenderimit. Përkundër kufizimeve buxhetore dhe nevojave për investime në pjesë të ndryshme të Komunës së Prishtinës, jemi angazhuar që edhe banorët e kësaj ane ta kenë të zgjidhur problemin me kanalizime, si dhe t’i shtrojmë ato rrugë që do ta bëjnë një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë banorët”, tha Durmishi, i cili tha se për secilin projekt rrugor që parashihet të ndërtohet në këtë zonë, fillimisht do të bëhet zgjidhja me kanalizim, e më pas do të asfaltohen rrugët.

Banorët e pranishëm raportuan për probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga pamjaftueshmëria e furnizimit me ujë të pijes gjatë sezonit veror, nevojën e një trafostacioni të ri shkaku i shtimit të numrit të shtëpive, lirimin e pronave të uzurpuara si dhe ndërtimin e trotuareve në rrugën kryesore për çështje të sigurisë së nxënësve. Gjithashtu, banorët e Bardhoshit të ultë kërkuan edhe ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat.

Po ashtu, kërkesë tjetër ishte që disa prej lagjeve të këtyre fshatrave të përfshihen në projektin për zgjerimin ndriçimit publik. Shumica prej tyre, i dorëzuan të gatshme kërkesat me shkrim tek autoritetet komunale.

Sa i përket problemeve me energji elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm, Durmishi i udhëzoi të pranishmit që t’i adresojnë këto probleme tek organet kompetente, ujësjellësi regjional, respektivisht KEDS’i, ndërsa tha se Komuna e Prishtinës është duke punuar maksimalisht që fshatrave dhe lagjeve në këtë zonë t’ua sigurojë rrjetin e kanalizimit, konform kërkesave që janë paraqitur edhe më herët në Drejtorinë e Infrastrukturës.
Në pyetjen e banorëve, Durmishi po ashtu i informoi të pranishmit se kyçjet individuale në rrjetin e kanalizimeve duhet të bëhen nga ana e banorëve, ngaqë Komuna e siguron vetëm rrjetin primar.

Diskutimi i ardhshëm publik do të mbahet me datë 26 qershor 2015, në shkollën fillore “7 Marsi”, me banorët e lagjes “Kalabria”. Të pranishëm në këtë diskutim do të jenë drejtorët Hysen Durmishi dhe Ardian Gashi.