Komuna e Prishtinës organizoi punëtori me banorët e lagjes “Tophane” lidhur me PRrU - në

- 25 Jun 2015

Me qëllim të informimit më të detajuar rreth Planit Rregullues Urban në lagjen “Tophane”, të vitit 2015, Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM) e prezantoi këtë plan në një punëtori të organizuar me banorët e kësaj lagjeje.

Procesi i zbatimit të këtij plani është dëshmuar të jetë mjaft sfidues, prandaj Komuna e mbështetur nga organizata CHwB- Trashëgimia kulturore pa Kufij, ka iniciuar një proces të konsultimit me publikun/komunitetin e lagjes, për të identifikuar çështjet kyçe që janë parë si pengesë në zbatimin e planit.

Nga prezantimi i pyetësorit të bërë nga CHwB-ja, 95 % të qytetarëve nuk kanë qenë në dijeni gjatë hartimit të PRrU-së, si dhe 65% as nuk janë në dijeni rreth përmbajtjes së këtij plani. Sa i përket problemeve të cilat hasin qytetarët në këtë zonë rezulton të jenë parkingjet me 27.79%, trotuaret 7.98%, gjelbërimi 7.98%, mbeturinat 16.29% dhe rrugët 8.94% . Ndërsa, të pyetur se me çfarë parakushtesh do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjen e tyre, 44% e tyre do të kontribuonin vetëm nëse edhe të tjerët kontribuojnë.   
Punëtoria përbëhej prej 5 grupeve punuese të cilët në konsultim me nga një zyrtarë nga DUNMM-ja i shpalosën sfidat dhe problemet e lagjes duke i prezantuar më pas
para të gjitha grupeve në mënyrë të diskutimit gjithëpërfshirës.
Si rezultat final, brenga kryesore e qytetareve është PRrU-ja e cila nuk përshtatet me kërkesat dhe interesat e banorëve. Koeficientet, infrastruktura, legalizimi, parkingjet, institucionet arsimore ishin një ndër problemet kryesore gjithëpërfshirëse si dhe shume probleme tjera individuale rreth shpronësimit te pronave.  

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte njoftimi i pjesëmarrësve me rezultatet e hulumtimit të zhvilluar në lidhje me implementimin e planit rregullues “Tophane”, dhe përcaktimi në hapësirë i problemeve të identifikuara nga qytetarët.

Organizimi i procesit të konsultimeve ka filluar në muajin janar të vitit 2015 dhe aktivitetet e parapara me publikun do të vazhdojnë deri në muajin korrik të këtij viti.