Nga 175 deponi ilegale të identifikuara në Komunën e Prishtinës, rreth 100 tashmë janë pastruar - 01 korrik 2015

- 01 Jul 2015

Për 15 vite me radhë, banorë të lagjeve të ndryshme në kryeqytet kanë jetuar të rrethuar nga deponitë ilegale të mbeturinave të cilat paraqisnin rrezik serioz për shëndetin e tyre.

Pas vendimit të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga rreziku i qenve endacak, Drejtoria e Inspekcionit ka pastruar dhjetra zona të këtilla gjithandej nëpër Komunën e Prishtinës.  Vetëm nga rruga “Azem Bejta”, gjatë kësaj jave janë larguar rreth 500 kamionë me mbeturina.

 
“Ne jemi në fazën përfundimtare të këtij pastrimi. Nga ky lokacion janë larguar rreth 500 kamionë me mbeturina dhe kjo zonë do të revitalizohet. Në Komunën e Prishtinës kanë qenë 175 deponi ilegale të identifikuara dhe tashmë mund të flasim për 100 deponi të larguara. Numri i deponive është duke u zvogëluar cdo ditë e më shumë dhe nuk do të ndalojmë derisa të pastrohen në tërësi.  Njëkohësisht, jemi të angazhuar në mirëmbajtjen e këtyre hapësirave, qoftë duke i revitalizuar si parqe apo duke i kthyer në destinime të tjera që janë të përshtatshme për banorët e lagjeve në kryeqytet”, ka thënë me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.
 
Komuna e Prishtinës paralelisht me largimin e mbeturinave, është duke realizuar edhe projektet për gjelbërimin e hapësirave në kryeqytet në zona ku janë duke u larguar mbeturinat inerte.
 
Deri më tani investimet më të mëdha janë bërë në “Fushën e Pajtimit”, në “Arbëri” dhe në “Kodër të Trimave”, por edhe në pjesë të ndryshme të kryeqytetit ku më parë kanë qenë deponi të mbeturinave, ndërsa tani ato sipërfaqe janë duke u revitalizuar dhe aty ku ka mundësi, edhe duke u shndërruar në parqe.