- 02 Jul 2015
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci sot vizitoi teatrin “Dodona”, OJQ – të “IRKT” dhe “Atomi”, të cilat zhvillojnë aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe hapësirën “Hackershtellë”, hapësirë e cila është duke u krijuar me nismën e disa të rinjve të kryeqytetit.
Po ashtu, drejtoresha Bogujevci vizitoi edhe institucionin parashkollor “Loja” që me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shahut organizoi një aktivitet për fëmijët me qëllim që ata të njoftohen që në moshë të hershme me këtë lloj të sportit.
Gjatë këtyre vizitave, drejtoresha Bogujevci tha se pas zgjedhjes së këshillit të ri të teatrit “Dodona”, do të hapet edhe konkursi për drejtorin artistik dhe tani do të fillohet edhe me procesin e renovimit si dhe do të ndahen subvencionet për këtë teatër.
“Mbështetja e teatrit “Dodona” do të jetë një prej prioriteteve të Drejtorisë së Kulturës. Çdo gjë fillon në fëmijëri, ndërsa teatri “Dodona” është shumë i rëndësishëm jo vetëm për afrimin e fëmijëve në mosha të hershme me artin, por edhe në nxitjen e imagjinatës së tyre. Po ashtu, sot pata kënaqësinë të vizitojë edhe institucionin parashkollor “Loja” dhe ishte kënaqësi të shohësh që në Ditën Ndërkombëtare të Shahut organizoheshin aktivitete që ua bëjnë më të afërt këtë sport fëmijëve”, tha Bogujevci.
Ajo u shpreh e gatshme që të përkrahë edhe Organizatat Jo Qeveritare që për qëllim organizimin e jetës kulturore dhe sportive në kryeqytet.