Fillon lirimi i parkingjeve nga mjetet që janë jashtë përdorimit

- 03 Jul 2015

Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Inspekcionit - Sektori i Komunikacionit ne kuadër te kompetencave me ligj për lirim te hapësirave publike dhe pas ankesave të qytetarëve ka bërë identifikimin e te gjitha automjeteve që janë jashtë përdorimit në Qytetin e Prishtinës, por të cilat kanë uzurpuar vendet e parkingut duke vështirësuar kështu mundësinë e parkimit të qytetarëve.

Me këtë rast, deri më tani janë identifikuar 102 automjete, prej tyre, 96 vetura, 2 kombi bus, 3 autofrigorifer dhe 1 kampshtëpizë.  

Sot, Drejtoria e Inspekcionit ka filluar me largimin e të gjitha automjeteve te pa regjistruara  të cilat nuk përdoren në komunikacion, të papërdorura, mjetet bashka-ngjitëse të cilat shfrytëzohen vetëm përkohësisht (rimorkio e lehtë ose kamp-shtëpiza ose të ngjashme), të cilat pengojnë rrjedhën normale të komunikacionit e ndotin ambientin, apo të cilat qëndrojnë për një kohe te gjate te parkuara ne hapësira publike vend parkingje apo sipërfaqe te gjelbëruara. Aksioni ka filluar në lagjen “Bregu i Dielllit”, tek Qendra Tregtare, ndërsa gjatë ditëve në vijim intervenimi i autoritete komunale do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

“Prej sot kemi filluar me një angazhim të ri të sektorit të komunikacionit të inspektoratit të Komunës së Prishtinës me ç’rast të gjitha veturat papërdorshme që janë të parkuara në parkingjet publike apo edhe në hapësirat e gjelbëruara do të identifikohen dhe do të konfiskohen nga inspektoriati. Ky është një proces që do të zhvillohet në vazhdimësi. Ftojë qytetarët që të evitojnë nevojën që veturat e tyre të konfiskohen dhe t’i largojnë vetë këto vetura. Por, po ashtu edhe kërkojmë nga qytetarë që për çdo rast të tillë të na informojnë sa më parë në mënyrë që të intervenojmë dhe t’i lirojmë këto hapësira për parkingjet e banorëve”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Shumë qytetarë i kanë larguar me vetëiniciativë këto mjete të papërdorura, ndërsa disa prej tyre janë konfiskuar pas skadimit të datës së njoftimit në afat prej 7 ditësh.