- 06 Jul 2015
Gjatë diskutimeve publike të realizuara me banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit, kërkesë specifike e përsëritur thuajse në secilin diskutim ishte krijimi i këndeve të lodrave dhe hapësirave publike.
Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes kompanisë projektuese “Pro Art”, është duke bërë projektet për këndet e lodrave dhe terren sportive dhe së shpejti do të fillojnë procedurat tenderuese për realizimin e këtyre projekteve në lagje të ndryshme të qytetit.
“Së shpejti, do të ketë hapësira të përshtatshme për familjarë dhe fëmijë ku ata do të mund ta kalojnë kohën por edhe të merren me aktivitete rekreative. Në listë prioritare do të jenë të gjitha ato lagje që nuk kanë fare hapësira të tilla, apo ato lagje ku hapësirat ekzistueset nuk janë të mjaftueshme. Për këndet e lodrave dhe hapësirat sportive janë planifikuar rreth 300 mijë euro nga buxheti i Komunës së Prishtinës”, tha Saranda Bogujveci, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Të gjithë ata banorë që kanë kërkesë për ndërtimin e hapësirave të tilla në lagjet e tyre, i ftojmë që në mënyrë të organizuar t’i parashtrojnë edhe me shkrim kërkesat në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.