- 07 Jul 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me drejtorinë e Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe kryetarin e Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi, vizituan punimet në ndërtimin e rrugëve Bërnicë e Ultë – Mazgit dhe Barilevë – Breznicë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të të dy komunave.
“Unë e kam thënë shumë shpesh se Komuna e Kastriotit është pothuajse lagje e Komunës së Prishtinës, por gjithashtu e kam thënë se kjo Komunë i merr gati të gjitha të këqijat për shkak të termocentralit dhe për shkak të deponisë së mbeturinave. Po ashtu, Komunës së Kastriotit i mungon infrastruktura bazë e cila iu mundëson banorëve të kësaj Komune që të kenë një jetë sa më të lehtë. Që të dy këto projekte janë projekte të bashkëpunimit të financuara nga Komuna e Prishtinës sa i përket punëve të cilat do të kryhen, si dhe planifikimit nga ana e Komunës së Kastriotit. Përmes rrugës Bërnicë e Ultë – Mazgit, banorët e fshatit Bërnicë e Poshtme, jo vetëm që do të lidhen me fshatin Mazgi por, gjithashtu, do të kenë qasje edhe në magjistralen Prishtinë Mitrovicë”, tha kryetari Ahmeti me rastin e vizitës në vendpunishte. Ai bëri të ditur se kjo rrugë është e gjatë 2.1 km, me një kosto prej rreth 290 mijë euro, ndërsa pritet që të përfundohet brenda 60 ditë pune.
Kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi, falënderoi kryetarin Ahmeti pasi që , sic tha, këto projekte kapitale kaq të rëndësishme për Komunën e Kastriotit nuk do të mund të realizoheshin asnjëherë pa përkrahjen e Komunës së Prishtinës.
Gjatë vizitës së punimeve në rrugën Barilevë – Breznicë, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi bëri të ditur se gjatësia e kësaj rrugë është 2.4 km, vlera rreth 290 mijë euro, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është 60 ditë pune.
Sipas memorandumit të bashkëpunimit, për të dy projektet do të investohet në vlerë prej rreth 580 mijë euro, shumë kjo e ndarë nga Komuna e Prishtinës e cila do të bëjë edhe ekzekutimin e punimeve, ndërsa Komuna e Kastriotit ka marrë përsipër projektimin.