Rezultatet e pjesëmarrjes së publikut në procesin e identifikimit të problemeve kryesore në 5 PRRU, dorëzohen tek vendimmarrësit në Prishtinë

- 10 Jul 2015

Në një takim formal i cili u organizua nga Komuna e Prishtinës, u pranuan zyrtarisht komentet dhe sygjerimet e qytetarëve mbi 5 Plane Rregulluese Urbane (PRRRU) në komunën e Prishtinës.

Këto rezultate u dorëzuan nga z. Deli Avdiu, kryetar i Bashkesisë Lokale nr.5, i cili shprehu mirënjohjen rreth inicimit të këtij procesi, mbarëvajtjes së tij, si dhe për pranimin e këtyre rezultateve në këtë mënyrë nga kryetari z. Shpend Ahmeti dhe drejtori z. Liburn Aliu. Ky veprim siguron qytetarët e këtyre zonave që problemet e identifikuara në lagjet e tyre tashmë janë dërguar në adresën e duhur dhe kjo do të ndihmojë që veprimet të cila do të merren nga ana e autoriteteve komunale do të jenë direkt të bazuara në nevojën e qytetarëve.

Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarët të Grupit Këshillues të Komunitetit (GKK) i formuar si trup këshillëdhënës për ta përcjellë këtë proces, përfaqësues të CHwB si implementues të këtij projekti dhe përfaqësuesit e Partnership for Development/të financuar nga USAID si donatorë të projektit.

Raport prezanton rezultatet e një procesi të diskutimit me palë të ndryshme të interesit në lidhje me identifikimin e problemeve kyçe në pesë plane rregulluese në Prishtinë. Planet rregulluese të identifikuara nga komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Urbanizmit Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM)  si më sfiduese gjatë implementimit të tyre janë: Prishtina e Re-Zona Perëndim, Mati 1, Qyteza Pejton, Qendra 1 dhe Tophane.

Ky proces ka filluar në Janar 2015 dhe diskutimet me palë të interesit përfunduan në fund të Qershorit 2015.

Gjatë këtij 6 mujori janë mbajtur 4 takime me GKK-në, ku bashkërisht është hartuar Plani i Pjesëmarrjes së Publikut, është bërë një anketë në terren me qëllim të përmbledhjes së një opinioni të përgjithshëm rreth informimit dhe problemeve kryesorë në 5 PRRU rezultatet e të cilit janë prezantuar në Maj 2015.

Ky ishte një proces dinamik, ku palët e interesit iu përgjigjen me vullnet aktiviteteve, takimeve/punëtorive të organizuara për secilën PRRU veç e veç.

Gjithashtu, falënderojmë edhe mediat, të cilat ishin të pranishme në punëtoritë për identifikimin e problemeve kyçe të organizuara për secilën PRRU.