2 gushti për diasporën do të jetë i veçantë në Komunën e Prishtinës

- 10 Jul 2015

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministri i Ministrisë së Diasporës (MeD), Valon Murati, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me bashkë organizmin e aktiviteteve për ditën e diasporës, me datë 2 Gusht 2015, në Prishtinë.

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës tha se me ministrin Murati ka filluar bashkëpunimi edhe më parë me qëllim që gjatë muajve të verës, kur fluksi i mërgimtarëve është më i madh, të ketë koordinim sa më të mirë rreth shërbimeve të cilat i ofron Komuna e Prishtinës.

“Bashkë me Ministrinë e Diasporës, në ditën e fundit të muajit të diasporës, me datë 2 Gusht,  do të organizojmë aktivitete, koncerte në pishinën e Gërmisë prej orës 12:00 deri në ora 18:00, ndërsa më pas në sheshin “Zahir Pajaziti” do të ketë sërish koncerte me bende shumë të mira, por edhe artistë që ndoshta për herë të parë interpretojnë në qendrën e kryeqytetit. Si Komunë do të jemi përgjegjës për pjesën logjistike duke u përkujdesur që gjatë asaj ditë në pishinën e Gërmisë ta kemi me të vërtetët një ditë të veçantë për diasporën. Kjo është e pakta që ne mund të bëjmë për diasporën”, tha kryetari Ahmeti, i cili tha se në ndërkohë do të ketë edhe aktivitete të ndryshme kulturore që do të organizohen nga Komuna e Prishtinës.
Ministri i MeD, Valon Murati, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje tha se për këtë ditë Ministria e Diasporës është kujdesur që të ketë një sërë aktivitetesh, ndërsa bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës do të jetë gjithmonë që të ofrojnë më të mirën për diasporën tonë.

“Për nder të ditës së diasporës, Ministria e Diasporës ka përgatitur dhe një bashkëpunim tjetër me Postën dhe Telekomin e Kosovës ku do të publikojmë edhe një pullë postare për diasporën”, tha ministri Murati, duke theksuar se aktivitete të tilla për diasporën do të organizohen në të gjitha komunat.

Kryetari Ahmeti tha se si rezultat i bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe MeD, është lehtësuar edhe procedurave e pajisjes së pjesëtarëve të diasporës me dokumente pasi që, siç tha ai, sivjet edhe mërgimtarët thonë se periudha e pritjes është shumë më ë shkurtër.

“Dy punëtorë të angazhuar nga Ministria e Diasporës që janë të vendosur në Komunën e Prishtinës bashkë me punëtorët tonë të cilët e mundësojnë edhe regjistrimin e diasporës dhe ju ndihmojnë në qoftë se kanë ndonjë problem gjatë regjistrimit.  Gjatë këtij viti do ta kenë edhe më lehtë ngaqë do ta kenë në dispozicion edhe “E-kiosk’un”, ndërsa do t’i shohim edhe mundësitë e aplikimit “on line” të mërgimtarëve për pajisen e tyre me dokumentet përkatëse”, tha kryetari Ahmeti.