- 10 Jul 2015
Vizitat sistematike shëndetësore që u realizuan gjatë vitit të kaluar nuk kanë ndikuar vetëm në prevenimin e sëmundjeve të ndryshme që u hasën tek nxënësit e shkollave të Komunës së Prishtinës, mirëpo po ashtu edhe sensibilizuan opinionin dhe ngritën nivelin e vetëdijesimit të prindërve lidhur me shëndetin e fëmijëve. Kështu u tha në konferencën e sotshme të organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) në të cilën morën pjesë edhe profesionistët që ishin pjesë e ekipit të kontrolleve sistematike shëndetësore të cilat u realizuan me fëmijët e klasave të I – ra, V – ta dhe të IX – ta.
Drejtori i DSHMS, Arben Vitia, tha se Këto vizita paraqesin një mekanizëm të arsyeshëm për monitorimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve të shkollove fillore. Sipas tij, qëllimi i këtyre vizitave është përcjellja e vazhdueshme e rritjes dhe zhvillimit psiko fizik , zbulimin i hershëm i çrregullimeve dhe sëmundjeve specifike për moshën dhe ndërmarrja e hapave dhe procedurave të duhura profilaktike, kuruese dhe rehabilituese në rastet kur evidentohen probleme të ndryshme.
Sipas Vitisë, për dallim nga viti i kaluar, gjatë këtij viti vërehet dukshëm përmirësimi i shëndetit oral tek fëmijët si rrjedhojë e shumë iniciativave vetëdijesuese pas publikimit të rezultateve të vitit të kaluar. Njëkohësisht, Vitia tha se është investuar në infrastrukturë dhe pajisje për përmirësimin e shëndetit oral.
“Gjatë këtij viti shqetësuese janë të dhënat me mbipeshën e fëmijëve, respektivisht përqindjen e lartë të fëmijëve obez, problemet me shputa, me shtyllën kurrizore, me të pamurit, mirëpo pavarësisht se krahasuar me vitin e kaluar situata është më e kënaqshme, duhet angazhim i shtuar edhe sa i përket kujdesit për shëndetin oral”, tha Vitia, i cili potencoi se edhe këtë vit bazuar në këtë raport do të ketë angazhime në këto fusha më problematike si në aspektin e promovimit të shëndetit, po ashtu edhe në sigurimin e mjeteve të nevojshme për të parandaluar këto probleme.
Ekzaminimit shëndetësor i janë nënshtruar 9.382 nxënës.
Me mbipeshë trupore klasat e I – ra u identifikuan 331 nxënës (10.3%) të rasteve; në klasat e V-ta 393 nxënës me mbipeshë ( 13.0% ); në klasat e IX – ta 445 nxënës (13.9%).
Në qytetet janë hasur 9.9% të nxënësve me obesitet, ndërsa në fshat 5.7%. Apo, ndryshe çdo i 8-ti fëmijë është me mbipeshë, kurse çdo i 15 fëmijë është obez.
Ky është një problem serioz pasi që obeziteti në moshë të hershme nënkupton se kjo mbipeshë përcillet edhe tek moshat e rritura. Ndërsa dihet se mbipesha sjellë probleme të ndryshme shëndetësore, si sëmundjet e qarkullimit të gjakut, diabeti, hiperkolesterolemia, etj.
Në ndërkohë, probleme me shputa rezultuan të kenë 1.039 nxënës (11%). Është karakteristike se ky problem, ndryshe i njohur si “pes planus”, ishte trefish më i shprehur në qytet në krahasim me fshatin.
Edhe gjatë këtij viti, janë zbuluar 4 raste me zhurmë në zemer, të cilat menjëherë iu janë nënshtruar ekzaminimeve të mëtutjeshme.
Në konferencë të pranishëm ishin edhe mjekët Teuta Hoxha, Nexhmedin Hoti, Shehadije Xhemajli dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Avdullah Hoti.
Për të gjitha problemet e evidentuara, tashmë ekziston edhe regjistri digjital dhe gjithashtu me letra udhëzuese dhe njoftuese janë informuar të gjithë prindërit, mësuesit dhe kujdestarët e klasës në mënyrë që të vazhdohet trajtimi i rasteve të caktuara.