- 16 Jul 2015
Në fillim të vitit 2015 Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të organizuar nga dy grupet e partive LDK dhe PDK, me ç’rast kanë tentuar të votojnë për ndërrimin e aksionarëve në Ndërmarrjet Publike të Komunës së Prishtinës. Edhe pse nëntë nga anëtarët e Kuvendit Komunal kanë qenë në lidhje direkte familjare me anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve, Kryesuesi i Kuvendit ka lejuar vazhdimin e mbledhjes. Pas ndërprerjes së mbledhjes dhe mosinformimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal, mbledhja është mbajtur vetëm nga këto dy subjekte, LDK dhe PDK.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në afat rekord, si rrallë herë, ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit edhe pse nuk është marrë fare me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe rregullat e përcaktuara për votim. Në funksionin e tij si kryetar i Komunës, Kryetari Shpend Ahmeti ka ushtruar padi ndaj MAPL dhe ka kërkuar masën e përkohshme të shtyrjes së ekzekutimit të Vendimit.
Gjykata Themelore ka pranuar kërkesën e Komunës së Prishtinës, mirëpo Kolegji i Gjykatës së Apelit në krye me gjykatësin Ramiz Kuqi, e ka kthyer vendimin në Gjykatë Themelore. Gjykata Themelore prapë ka pranuar kërkesën e Komunës së Prishtinës. Duke parë se kjo gjykatë po merr vendime në përputhje me ligjet në fuqi, rrjedhimisht pa iu nënshtruar zv. Ministrit të Drejtësisë Lirak Çelaj, gjykatësi i rastit është larguar në një gjykatë tjetër me qëllim pamundësimin e një vendimi që mund të ishte edhe në favor të Komunës. Largimi i gjykatësit nga Gjykata Themelore është pasuar sërish me kthimin nga Gjykata e Apelit të vendimit, të bindur se vendimi do të jetë sipas kërkesave të Lirak Çelajt nga PDK dhe Sami Hamitit nga LDK.
Duket qartë se synimi i koalicionit “Sami-Lirak” është marrja nën kontroll të 7 ndërmarrjeve publike dhe vazhdimi i politikave të klientelizmit dhe krimit që kanë mbizotëruar në 14 vitet e qeverisjes së kaluar. Të gjitha këto ndërmarrje kanë qenë në humbje të mëdha, të qeverisura nga motrat dhe vëllezërit e asambleistëve dhe me nepotizëm të skajshëm në çdo punësim që është bërë. Disa nga këto ndërmarrje aktualisht janë edhe nën hetime të policisë së Kosovës.
Ndërmarrjet Publike Komunale qeverisen nga një Komitet i Aksionarëve i përbërë nga tre anëtarë. Një anëtar caktohet nga Kryetari i Komunës dhe dy të tjerë zgjidhen nga Kuvendi Komunal. Duke marrë parasysh që ekzekutivi i Komunës po mundohet të instalojë reforma të thella në qeverisjen e komunës, përfshirë edhe ndërmarrjet publike, dhe që në krye te reformës është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kryetari i Komunës në bashkëpunim me 7 aksionarët që i ka caktuar në Ndërmarrje kanë vendosur që të mos lejojnë vendimet e komisioneve të aksionerëve deri në një zgjidhje më të mirë. Në këto kushte më mirë është që të ruhet kjo situatë sesa të mundësohet kthimi në politikat e vjetra në këto ndërmarrje.
Në marrëveshje me kryetarin e Komunës, përfaqësuesit e Kryetarit në komisionet e aksionerëve, Ardian Gashi (PASTRIMI), Hysen Durmishi (HORTIKULTURA), Xhelal Sveçla (Ndërmarrja Publike Banesore), Dardan Sejdiu (Trafiku Urban), Redon Rezniqi (Sport Marketing), Visar Berisha (TERMOKOS) dhe Muhedin Nushi (Stacioni i Autobusëve) kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre dhe Kryetari i ka pranuar menjëherë dorëheqjet e të gjithëve.
Sipas letrës së pranuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Njësia për monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, është konfirmuar se komisionet e aksionerëve jo të kompletuara nuk janë funksionale dhe nuk mund të marrin vendime. Si të tilla, fakti që aksionerët e Kryetarit nuk janë emëruar i bën këto komisione jofunksionale (të bashkëngjitur e gjeni përgjigjen e plotë të MZHE – së).
Në këto rrethana, çfarëdo tentimi për të marrë vendime apo masa të dhunshme nga aksionerët e koalicionit “Sami –Lirak” pa aksionerët e Kryetarit do të pasohet me padi gjyqësore. Si dhe me ndërprerje të çfarëdo bashkëpunimi me ndërmarrjen në fjalë, duke përfshirë pagesat që bëhen për këto ndërmarrje. Kryetari nuk do të lejojë shpenzimin e asnjë pjese të parasë publike në politika të klientelizmit dhe nepotizmit. Po ashtu, një pjesë e shërbimeve të këtyre ndërmarrjeve do t’i kalojnë Komunës së Prishtinës si ofrim direkt i shërbimit siç është për shembull menaxhimi i mbeturinave.
Për këtë vendim do të informohen edhe donatorët ndërkombëtarë në projektet të cilët ata i financojnë sikurse është shembulli me projektin e kogjenerimit në “Termokos”.
Kapja e shtetit me vendime të gjykatave që kthehen nga pesë herë derisa ta marrin vendimin sipas interesave private të zv. Ministrit Lirak Çelaj, reagime të shpejta të gjykatave e ministrive kur diçka kërkohet nga Lirak Çelaj e Sami Hamiti dhe mos ekzekutimet e vendimeve kur janë në favor të ekzekutivit sikurse rasti me Feim Salihun në kompaninë "Pastrimi" duhet të ekspozohen dhe duhen të luftohen.
Drejtësia është element thelbësor në formimin e shtetit të mirëfilltë dhe atë do ta mbrojmë deri në fund.