- 20 Jul 2015
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci ishte e pranishme në ndarjen e rekuizitave sportive për klubet e qytetit më qëllim të krijimit të kushteve sa të mira për sportistët e kryeqytetit.
“Duke u bazuar në kërkesat që i kemi pasur nga klubet e qytetit është parë si shumë e nevojshme në mënyrë që t’ju jepet sa më tepër hapësirë dhe të kontribuojmë sa më shumë për zhvillimin e sportit në kryeqytet, e kemi parë të arsyeshme që përveç subvencioneve që ndahen për projekte të caktuara, të ndajmë edhe rekuizitat në funksion të zhvillimit të sportit. Kemi kontaktuar me të gjitha klubet e qytetit dhe kemi shënuar kërkesat e tyre më të rëndësishme në mënyrë që t’ju vijmë në ndihmë”, tha drejtoresha Bogujevci.
Rekuizita sportive u ndanë për klubet e notit, skijimit, çiklizmit, tenisit, pajisje për atletikë, pajisje për ping pong, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të mbështeten me rekuizita sportive edhe sportet e tjera luftarake, si kickbox, karateja, boks, taekwondo, xhudo, etj.
Në mesin e të pranishmëve që pranuan këto donacione nga Komuna e Prishtinës ishte edhe Bujar Turjaka, kryetari i klubit të skitarëve “Prishtina”, i cili tha se kjo është një ndihmesë e madhe për këtë klub sportiv.
“Si klub më së shumti i gëzohemi faktit se kemi marrë matjen elektronike, ndërsa edhe pse me vështirësi kemi arritur t’i sigurojmë skitë. Matja elektronike është një risi e cila klubeve do t’ju ndihmojë shumë për avancimin e mëtutjeshëm të skijimit. Vlen të theksohet se Komuna e Prishtinës, jo vetëm me pajisje, por edhe nëpërmes subvencionimeve ka treguar se ka politika për përkrahjen dhe zhvillimin e sporteve. Vetëm gjatë dy viteve të fundit deri në tre herë jemi subvencionuar si klub”, tha Turjaka.