Filloi asfaltimi i rrugës “Enver Maloku”

- 22 Jul 2015

Në vazhdën e realizimin të rreth 75 projekteve infrastrukturore në Komunën e Prishtinës, sot ka filluar asfaltimi i rrugës “Enver Maloku” në lagjen “Mati 1”, respektivisht shtrimi i dy shtresave të para, nga gjithsej tri shtresa që do të shtrohen me një trashësi prej 23 cm.

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme kapitale që ka hyrë në fazën finale pas tejkalimit të disa problemeve të trashëguara nga e kaluara.

Ky projekt do të realizohet në dy faza. Faza e parë e rrugës “Enver Maloku” ka gjatësi prej 700 metrave, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar punimet edhe në pjesën e dytë të kësaj rruge, me një gjatësi prej 400 m.

Rruga “Enver Maloku” është e gjerë 33 metra, ka katër korsi, si dhe janë të parapara edhe shtigjet për biçikleta.

Kostoja e këtij projekti është 1.187.000 euro, ndërsa punëkryes është kompania Beni com.