Brenda 2 muajve, 1.889 ekstrakte të lindjes nga vetëshërbimi digjital

- 12 Aug 2015

Vetëm brenda dy muajve, qytetarët janë shërbyer me 1.889 ekstrakte të lindjes, numër ky shumë më i lartë se të gjitha pritshmëritë e autoriteteve komunale.
 
Vetëshërbimi digjital për certifikatat, ekstraktet apo shërbimet e gjendjes civile është në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe qytetarët të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, si dhe kanë nxjerrë edhe më parë një ekstrakt, në çfarëdo kohe përmes një procesi tejet të thjeshtë, me letërnjoftimin e tyre mund ta shtypin ekstraktin e në të ardhmen edhe certifikata të tjera.
 
Ky vetëshërbim digjital do t’i ketë tre komponentë:
1. E – Kiosk, aparati i cili mundëson nxjerrjen e ekstraktit të lindjes për përdorim interno, e cila tashmë është në shërbim të qytetarëve;
2. Mundësia e shtypjes së formularëve nga cilado drejtori e Komunës së Prishtinës
3. Dërgimi i formularëve të plotësuar drejtpërsëdrejti në mënyrë automatike në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, shërbime këto që pritet të fillojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Nga viti i ardhshëm këto pika të vetëshërbimeve digjitale planifikohen të vendosen në Bashkësitë Lokale, si dhe nëpër pika kyçe të qytetit të cilat janë më të frekuentuara nga qytetarët.