- 19 Aug 2015
Komuna e Prishtinës organizoi diskutimet publike lidhur me rregulloren e institucioneve edukativo – arsimore, të cilat u mbajtën në datat 13, 18 dhe 19 gusht. Të pranishëm në këto diskutime ishin drejtor të shkollave, përfaqësues të prindërve, përfaqësues të mësimdhënësve dhe nxënësve, OJQ – të dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Një rregullore e tillë për organizimin e punës në institucionet edukativo – arsimore ka qenë kërkesë e shkollave si nevojë të domosdoshme duke shpresuar se do të na ndihmojnë në procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Ne kemi pasur disa takime pune me grupet punuese, me drejtorë, me mësimdhënës të shkollave, me përfaqësues të prindërve dhe të nxënësve dhe në përgjithësi është shfrytëzuar legjislacioni në fuqi duke përfshirë këtu edhe udhëzimet administrative të cilat janë të obligueshme, duke u bërë një përmbledhje e tyre në mënyrë që të kemi një dokument që në mënyrë të përgjithshme i përfshin të drejtat e të gjitha palëve pjesëmarrëse në shkollë”, tha drejtoresha Arbërie Nagavci në këto diskutime publike.
Nagavci bëri të ditur se ky dokument është prezantuar edhe në komisionin për arsim në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe si draft i parë është prezantuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal dhe në parim është aprovuar. Më pas, me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është formuar edhe grupi punës, i cili ka për detyrë të shënojë të gjitha sugjerimet e pjesëmarrësve në konsultat publike me qëllim të përfshirjes së tyre në këtë draft rregullore, para miratimit final në Kuvendin e Komunës së Prishtinës.
Sipas kësaj draft rregulloreje, përcaktohen përgjegjësitë dhe të drejtat ligjore për të gjitha palët për të gjithë komunitetin e shkollave, përcaktohen qartë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, masat disiplinore dhe procedurat ankimore gjë që do të lehtësojë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin dakord që sa më shpejt të hyjë të fuqi rregullorja për institucionet edukativo – arsimore.