- 20 Aug 2015
Sot u mbajt mbledhja e katërt për vitin 2015 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës së Prishtinës. Në këtë mbledhje morri pjesë edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Me këtë rast, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, e njoftoi ministrin Hyseni lidhur me punën e këtij këshilli dhe hapat të cilët janë ndërmarrë për përmirësimin e sigurisë në kryeqytet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka funksionuar edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti dhe janë diskutuar të gjitha çështjet që janë me rëndësi sa i përket sigurisë. “Konstatim i yni i përbashkët ka qenë se niveli i sigurisë në Komunën e Prishtinës ka qenë i kënaqshëm”, tha kryetari Ahmeti, i cili shtoi se analizohen edhe statistikat sa i përket sigurisë në komunikacion dhe deri tek problemet e tjera të natyrave të ndryshme.
Ahmeti njëkohësisht i njoftoi të pranishmit se gjatë periudhës janar 2014 – qershor 2015 është bërë një pilot projekt për vendosjen e kamerave në lagjen “Dardania” e poashtu përmendi edhe vendosjen e “policëve të shtrirë” në të gjitha vendkalimet, posaçërisht në afërsi të shkollave gjë që e ka përmirësuar dukshëm situatën e sigurisë.
I pari i Prishtinës tha se është e domosdoshme nevoja për më shumë policë në komunikacion dhe u shpreh i gatshëm që si Komunë të mbulojnë pagat edhe të më shumë policëve vetëm që të përmirësohet edhe më tutje gjendja e sigurisë në kryeqytet, ndërsa tha se është optimist që kur të diskutohet ligji për Prishtinën, këto çështje do të zgjidhen edhe në kuadër të tij.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni bëri të ditur se i ka vizituar të gjitha komunat e Kosovës me qëllim të diskutimit të situatës së sigurisë në vend.
“Unë sot po e përmbyll një cikël të vizitave në komunat e Kosovës dhe të takimeve me këshillat komunal për siguri në bashkësi. Kjo turne, kushtimisht, ka pasur dy objektiva kryesore: njëra që të dëgjojmë nga kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave përkatëse për nevojat e komunave veç e veç në rrafshin e sigurisë mbi të gjitha dhe në mënyrë specifike mbi rrafshin e policimit, siç po quhet në zhargon. Ndërkaq, objektiv i dytë i këtyre vizitave ka qenë trajtimi i një teme bosht e që ka të bëjë me interesa të përgjithshme të Republikës së Kosovës”, tha ministri Hyseni, i cili shtoi se pajtohet se duhet të shtohet numri i policëve, i zjarrfikësve për ngritjen e nivelit të sigurisë.