- 20 Aug 2015
Sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës filloi seria e dëgjimeve publike për buxhetin komunal të vitit 2016, diskutime këto ku qytetarët kanë rastin të japin ide dhe propozime për projekte për t’u përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm, si dhe t’i diskutojnë e ti debatojnë ato propozime së bashku me drejtorët e kryetarin e Komunës.
Disa dhjetëra qytetarëve pjesëmarrës iu drejtua kryetari Shpend Ahmeti, i cili i informoi ata se përveç dy dëgjimeve të përgjithshme, një në fillim dhe një në fund, do të jenë edhe 7 dëgjime për fusha specifike, siç janë: Shërbimet Publike, Infrastruktura Lokale, Zhvillimi Ekonomik, Urbanizmi dhe Kadastri, Arsimi, Shëndetësia dhe Kultura e Sporti.
Kryetari Ahmeti i njoftoi qytetarët se Prishtina është qytet, i cili duhet të dizajnohet për 600 mijë banorë dhe është duke u punuar në projekte konkrete, që do t’i akomodonin nevojat dhe kërkesat e këtij numri qytetarësh. Ai i përmendi projektin e mobilitetit të qytetit dhe transportin publik, rregullimin e infrastrukturës së kanalizimit të qytetit dhe ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj, ku Komuna po merr pjesë me 5 milionë euro investime, zgjerimin e rrjetit të ngrohjes nga Termokosi, në 130 mijë MW energji termike, e mjaftueshme për 60 mijë banorë etj. Ai iu tregoi të pranishmëve që buxheti për vitin 2016 do të jetë 65 milionë euro.
Nga ana e tyre qytetarët shprehën interesim për projekte konkrete kapitale, siç janë rruga A në Mati 1, rrugicat që dalin nga rruga Vëllezërit Fazliu në Kodrën e Trimave, Ambulanta dhe Çerdhja për fëmijë në Bashkësinë e 12-të Lokale, etj, për të cilat morën përgjigje si nga kryetari Ahmeti, poashtu edhe nga drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe ajo e Kadastrit, Nora Kelmendi.
Vlen të përmendet se ishte konkludim i përgjithshëm që sa më parë duhet të bëhet Ligji për Prishtinën, në mënyrë që Prishtina të fillojë të trajtohet si i ka hije një kryeqyteti.