- 27 Aug 2015
Në vazhdën e përgatitjeve për vitin e ri shkollor, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, ka kontraktuar disa kompani për të kryer renovime nëpër shkollat fillore dhe të mesme, në mënyrë që objektet të jenë në gjendje të rregullt për shtator. Kështu, në 31 shkolla dhe institucione parashkollore janë montuar rezervuarët e ujit, në mënyrë që objektet shkollore të kenë furnizim me ujë gjatë orarit të mësimit. Vlera e këtij projekti është 48,630.00 euro.
Në 6 shkolla janë rikonstruktuar nyjat sanitare, projekt ky në vlerë prej 98,865.00 eurosh, ndërkaq poashtu janë rikonstruktuar dhe gëlqerosur 8 objekte tjera shkollore, me projekt në vlerë prej 202,154.97.
Vlen të theksohet që janë rinovuar edhe tri terene sportive në tri shkolla, kurse në shkollat “Dardania”, Naim Frashëri” dhe “Faik Konica” po bëhet ndriçimi i oborreve të shkollës në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Komuna e Prishtinës është e përkushtuar që të krijojë kushtet më të mira brenda mundësive, që procesi arsimor të zhvillohet në kushte optimale.