- 01 Sep 2015
Për herë të parë në Komunën e Prishtinës, falë reformave të ndërmarra nga Drejtoria Komunale e Arsimit, është plotësuar numri i nxënësve në shkollat profesionale. Kështu deklaroi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci vizituan shkollat “Meto Bajraktari” dhe Xhemajl Mustafa “me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Po ashtu, gjatë këtij vitit, pos investimeve në infrastrukturë, në disa shkolla do të fillohet edhe me disa projekte të reja, siç është mësimi tërëditor, mësimi me ditarët elektronik dhe me projekti “Sokrates”. Njëkohësisht, janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për përmirësimin e shujtës dhe pasurimin e saj edhe me qumësht për nxënësit e klasave I – V.
“Shkolla Xhemajl Mustafa është përzgjedhur për implementimin e projektit të ditarëve elektronik dhe sistemit të menaxhimit të shkollave me programin “Sokrates”. Gjatë muajit shtator, do të fillojë trajnimi i mësimdhënësve për t’i përdorur edhe ditarët elektronik si dhe më pas edhe programin “Sokrates”. Dua të potencojë edhe një fakt se sivjet për herë të parë është plotësuar numri i nxënësve në shkollat profesionale. Gjatë viteve të kaluara ka ndodhur që të stërngarkohet numri i nxënësve nëpër gjimnaze, ndërsa shkollat profesionale ngelnin pa nxënës. Tanimë pasi që nuk tejkalohet numri i përcaktuar me rregullore, të interesuarit kanë filluar të aplikojnë për këto drejtime që përkrahen nga Komuna e Prishtinës dhe kanë shumë perspektivë”, tha kryetari Ahmeti, gjatë vizitës së tij në këtë shkollë.
Ndërsa, gjatë vizitës në shkollën “Meto Bajraktari”, kryetari Ahmeti tha se në përputhje me zotimin për rëndësinë e arsimit të hershëm, në këtë shkollë janë hapur dy paralele të arsimit parafillor, me qëllim të parapërgatitjes së së fëmijëve që do të hyjnë në shkollë.
“Ne do të angazhohemi që të investojmë sa më shumë edhe në çerdhe, edhe në klasat për arsimin e hershëm pasi që duam që në të ardhmen mos të ballafaqohemi me problemet që i kemi sot në arsimin dhe edukimin”, tha kryetari Ahmeti, i cili, po ashtu, bëri të ditur se gjatë këtij viti shkollor, pos shujtave të cilat do të jenë edhe më kualitative, planifikohet të shpërndahet edhe qumështi për nxënësit e klasave I - V.
Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci iu urojë një fillim të mbarë të gjithë nxënësve dhe prindërve. Ajo tha se është e bindur se mësimdhënësit e Komunës së Prishtinës do të japin maksimumin e tyre për shkollimin dhe edukimin e nxënësve.
“Sivjet, pos investimeve në infrastrukturë, fillojmë edhe me projekte të reja në disa shkolla. Në tri shkolla do të fillohet me mësimin tërëditor, ndërsa në pesë shkolla do të fillohet me ditarët elektronik dhe me projektin “Sokrates”. Dy shkolla do të kenë bashkëpunim të afërt me fakultetin e edukimit dhe në të gjitha shkollat sivjet do të fillohet me aktivitete plotësuese, të cilat iu kanë munguar nxënësve tanë deri më tani.”, tha Nagavci.
Në Komunën e Prishtinës e ndjekin mësimin 46 mijë nxënës, në 56 shkolla. Në asnjë paralele të shkollave të mesme gjatë procesit të regjistrimit, njëjtë sikurse edhe gjatë vitit të kaluar, nuk është tejkaluar numri i nxënësve.