- 08 Sep 2015
Nga 11 deri me 13 shtator 2015, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës organizojnë edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar tradicional të valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës”, në Prishtinë.
Ceremonia e hapjes së festivalit mbahet më 11 shtator 2015, në ora 18.00, në Sheshin “Zahir Pajaziti” ku do të shfaqen me nga një valle të gjitha ansamblet pjesëmarrëse në festival.
Qëllimi i këtij festivali është promovimi i vlerave kulturore përmes valleve të trevave nga vijnë ansamblet, shoqërimi i fëmijëve, njohja, miqësia, lidhjet e tyre mes vete pa dallim gjuhe, feje apo race.
Gjatë këtij viti, në festivalin “Ylberi i Prishtinës” do të marrin pjesë 19 ansamble nga vendi dhe rajoni. Shtetet e huaja pjesëmarrëse janë: Shqipëria, Kroacia, Turqia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
***
Në skenën e festivalit “Ylberi i Prishtinës” për 14 vite me radhë kanë defiluar mbi 6000 valltare e solistë të ndryshëm, të moshave nga 10 - 16 vjeçare. Këtë vit mbi 500 fëmijë nga Kosova dhe shtetet e ndryshme të rajonit do të defilojnë në kryeqytetin tonë nën tingujt e muzikës dhe me veshjet tradicionale kombëtare.